E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Strati, mozaik të ri me gozhdë në Dubai

• Mozaikët e tij janë të veçantë. Nuk përdor vetëm gurët, që njihen për realizimin e kësaj gjinie.

ANILA MEMA

Lëvozhga veze, Cd, kunja dhëmbësh, copëra shihesh të qelqta, guralecë lumi, apo edhe gozhdë janë disa prej lëndëve më të veçanta që gjenden në veprat e tij të artit. E për këtë është i veçantë. Me gozhdë, ka tentuar sërish, pas portretit të Leonardo Da Vinçit me të cilin rrëmbeu edhe çmimin e parë në “Guinnes”. Piktori dhe artisti shqiptar Saimir Strati pak kohë më parë ka realizuar një tjetër vepër me gozhdë. Veç jo në Shqipëri! Në Dubai, në festivalin e njohur për artin pamor, artisti i njohur nga Shqipëria, për rrëmbimin e dy rekordeve “Guinnes” njëri pas tjetrit, ka realizuar një mozaik të ri! Sërish me kuaj! Bëhet fjalë për mozaik, subjekt i së cilës është një duet kuajsh, të futur brenda një rrethi. Kjo është vepra çka Strati ka realizuar live për gjithë artistët dhe organizatorët e këtij festivali të përvitshëm për disa ditë me radhë. “Një botë, një familje, një festival”, (One world, one family, one festival) është slogani i këtij festivali ndaj dhe unë vendosa të realizoja një duet kuajsh të futur brenda një rrethi, që sipas mendimit tim përfaqëson botën” shprehet Strati për gazetën “Panorama”. Nuk është një vepër konkurruese, tregon Strati, por sipas tij është simboli i përdorur për përfaqësimin e vetë sloganin të këtij aktiviteti. Ka rrëmbyer edhe një çmim në Dubai, çmimin e dhënë nga këshilli i kulturës së këtij vendi. Dhe për këtë ndihet i kënaqur. Dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe. Tashmë që mban dy rekorde botërore për çmimin e njohur në botë “Guinnes”, atë të portretit të Leonardo Da Vinçit, realizuar me gozhdë në shtator të vitit 2006 si dhe kalin pa fre, një mozaik i realizuar me kunja dhëmbësh, realizuar në po të njëjtin muaj, shtator të vitit 2007, Strati jo vetëm që ka pushtuar mediat e botës, por bën me dije se së shpejti do të sjellë edhe veprën e tretë, e cila do të bëhet pjesë e rekordit botëror. Saimir Strati tregon se është fiksuar që do të vendoset dhe një tjetër rekord në Shqipëri, por ndoshta dhe shumë të tjerë, kësaj si dihet. “Njëri prej projekteve më është aprovuar, por akoma nuk dihet vendi ku do të bëhet. Nuk do të preferoja kurrsesi ta bëja në Shqipëri, por dua të them se në të gjitha performancat e mia do të kisha me vete simbolin shqiptar”, shton Strati, megjithatë tregon se koha do të jetë e njëjtë, tashmë data 4 shtator për të është një simbol më vete. Në çdo 4 shtator ka vendosur dy rekordet e mëparshme. Nuk do të tregoj detaje rreth veprës së re, sepse për të, gjithçka ndryshon nga momenti në moment. Këto kohë është proces krijues i artistit, i cili para se të performojë live para publikut, provon një herë për vete. Këto kohë, një ekspozitë e pret në New York me veprat e tij. Por ndërkohë së shpejti do të jetë pjesë e një dokumentari të huaj për Shqipërinë, i zgjedhur nga vetë regjisorja Smirnova. “Eshtë një projekt që ka të bëjë me filmat dokumentarë në të gjitha vendet e botës dhe për Shqipërinë regjisorja më ka zgjedhur mua, të flas për këtë vend, qoftë si fituesi i dy rekordeve “Guinnes”, qoftë edhe si artist, piktor”, tregon Strati.

Dy orët e rekordeve Guinnes
Që pas momentit të marrjes së certifikatës si fitues i “Guinnes”-it të dytë për Shqipërinë, asgjë nuk ka ndodhur më pas për veprën e tij. Artisti di që së shpejti do të dorëzohet në Amerikë, por gjatë kësaj kohe edhe pse u fol për një udhëtim ekspozite rreth vende shqiptare, asgjë nuk ndodhi. Të dyja veprat ndodheshin tek Piramida, u ekspozuan vetëm dy orë atë ditë kur edhe u shpallën si fituese të rekordit botëror e më pas kanë heshtur. “M’i kanë kërkuar t’i ekspozoj diku jashtë Shqipërisë, por unë nuk kam preferuar, pasi dëshiroj së pari t’i ekspozoj në Shqipëri dhe më pas nëpër botë” ka thënë ai.

Ekspozita e pamundur në Shqipëri
Ndihet i zhgënjyer për projektin e parealizuar, një ekspozitë në qytete të ndryshme shqiptare me veprat e tij, mes tyre dhe dy rekordeve, por kjo nuk e ka bërë të mos vazhdojë më tej. “Unë si artist sjell më të veçantat në botë, në Shqipëri unë nuk mund të bëj murin e madh kinez, por kam sjell dy nga mozaikët më të rrallë dhe hera e parë që prezantohen të tillë në botë. Nëse këto dy vepra do duhet për Shqipërinë le t’i përdorin, unë thjesht në punën time dhashë maksimumin, por nuk mund të bëj më shumë. Të gjitha punët që vendosin rekord “Guinnes” marrin mbështetje nga shteti”, tregon ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›