E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Kosova s’është qendër elektorale serbe

• Ministri serb për Kosovën ka vizituar ish-provincën serbe duke deklaruar se e gjithë Kosova do të marrë pjesë në votimet e përgjithshme në muajin maj për të zgjedhur qeverinë e re të Beogradit.

 Ndërsa reagimi i menjëhershëm i Presidentit të Republikës së Kosovës ishte se Kosova nuk mund të shërbejë bazë elektorale për askënd, por në bazë të parimit të dyshtetësisë serbët e Kosovës mund të votojnë për të preferuarit e tyre për pushtetin në Serbi. “Serbët nuk mund të mbajnë zgjedhje për të ndërtuar institucione serbe në Kosovë”, tha Sejdiu. Sllobodan Samarxhiç, i cili të dielën dhe të hënën ka qëndruar në enklavat serbe në Kosovë, ka përcjellë mesazhin për serbët e Kosovës se në vendbanimet e banuara me serbë më 11 maj, do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të shtetit serb. Presidenti Sejdiu tha se në Kosovë do të respektohet për të gjithë parimi i dyshtetësisë, por nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që ky parim të përdoret për të krijuar struktura që delegjitimojnë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. “Parimi i dyshtetësisë nuk lejon që Kosova të jetë bazë apo zonë elektorale për askënd pos për vetveten. A do të kenë qasje qytetarët serbë që të votojnë për të preferuarit e tyre që të jenë strukturë e ndërtimit të pushtetit në Serbi, është diçka tjetër, në kuptimin e respektimit të parimit të dyshtetësisë, por jo si bazë elektorale, jo si strukturë që do të shërbejë për ndërtimin e institucioneve serbe në Kosovë, absolutisht jo”, tha Sejdiu duke u kërkuar serbëve të Kosovës ta njohin Kosovën si shtet sovran e të pavarur dhe të punojnë për të. Ndërsa Samarxhiç kërkoi bojkot të mëtejshëm nga serbët. “Të gjithë ata që kanë punuar në institucionet e përkohshme, pas 17 shkurtit duhet t’i lëshojnë ato ndërsa ne do të jemi të obliguar t’i financojmë njerëzit”, tha Samarxhiç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›