Acda: “UNMIK-u do të largohet brenda 3 muajsh nga Kosova
Komisioni Europian ka vendosur që shtylla e katërt e UNMIK-ut të largohet nga Kosova më 31 qershor. UNMIK-u do të largohet brenda 3 muajsh nga Kosova, ka deklaruar shefi i shtyllës së katërt të kësaj administrate, Paul Acda. Ai ka thënë se brenda kësaj kohe do të barten edhe përgjegjësitë te institucionet e vendit.
Shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut shtoi se Komisioni Europian ka marrë vendim që ta ndërpresë financimin e shtyllës së katërt të UNMIK-ut nga qershori i këtij viti. “Më 1 qershor fillon largimi i stafit, ndërsa më 1 korrik do të jetë vetëm një ekip i vogël që do të jetë përgjegjës për likuidimin e disa aseteve të Shtyllës IV e që kanë të bëjnë me pajisje të ndryshme”, - ka shtuar ai. Sipas pakos së Ahtisarit, pas largimit të UNMIK-ut, menaxhimi i pasurisë publike do të bëhet nga institucionet e Kosovës. Ndërkaq misioni i OKB-së në Kosovë do të mbetet në Republikën e Kosovës edhe pas bartjes së përgjegjësive të rezervuara, por emri i tij më nuk do të jetë UNMIK e as forma e mandatit nuk do të jetë e njëjtë. Sipas burimeve të larta diplomatike nga selia e OKB-së në Nju Jork, ky mision do të jetë pasardhës i UNMIK-ut, sipas të gjitha gjasave më të mëdha do të mbajë emrin Zyra e OKB-së në Prishtinë.
5 Prill 2008