E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia e zhgënjyer nga NATO-ja



“Zhgënjim”, është fjala që përdoret më shumë nga zyrtarët e Maqedonisë, pasi vendi nuk mori ftesë për anëtarësim në organizatë në Samitin e Bukureshtit. Mosmarrja e ftesës nga ana e tyre konsiderohet si një shkelje e principeve të Aleancës si dhe shkelje e një marrëveshjeje dypalëshe me Greqinë në të cilën ajo zotohet se nuk do të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në organizata ndërkombëtare me emrin “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”. Zyrtarët e Shkupit pas kthimit nga Bukureshti nuk dinin të thoshin se cilat do të ishin veprimet e mëtejshme.
Sipas tyre, do të duhen disa ditë reflektim pasi një gjë e ngjashme mund të ndodhë edhe me aspiratat integruese për në BE.
Për presidentin e vendit, Branko Cërvenkovski, mosmarrja e ftesës për në NATO është “realizimi i skenarëve më të errët”. Cërvenkovski bëri thirrje për lëvizje të kujdesshme. “E vetmja pengesë pse nuk u bëmë anëtarë të NATO-s janë frustracionet e fqinjit tonë jugor, Greqisë. Republika e Maqedonisë do të mbijetojë dhe të gjithë ata që mendojnë se në këtë mënyrë do të na pengojnë të arrijmë atë të ardhme që dëshirojmë, gabojnë shumë”,- tha presidenti Cërvenkovski. Kryeministri Nikolla Gruevski gjithashtu thotë që është e papranueshme që për shkak të çështjes së emrit me Greqinë vendi i tij mos të marrë ftesën për në Aleancë. “Duke u përballur me këtë situatë ne do të vazhdojmë me përpjekjet për më shumë përparim për më shumë reforma”, - tha Gruevski. Por përfaqësues ndërkombëtarë thonë se ftesa e Maqedonisë është gati menjëherë sa të zgjidhet çështja e emrit.

5 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›