Bushi viziton Kroacinë pas marrjes së ftesës për në NATO
Menjëherë pas përfundimit të Samitit të NATO-s, presidenti amerikan Xhorxh Bush u nis drejt Kroacisë për një vizitë dyditore. Vizita e tij ishte konfirmuar disa ditë më parë dhe gjatë qëndrimit në Zagreb Bushi zhvilloi takime me presidentin kroat, Stipe Mesiç, kryeministrin Ivo Sanader, ndërsa gjatë ditë së sotme presidenti amerikan do të mbajë një fjalim për qytetarët kroatë. Nga ana tjetër, policia e Zagrebit ka njoftuar se vizita e Bushit nuk do të cenojë rrjedhën normale të jetës së qytetarëve, ndonëse ekzistojnë rekomandime për shfrytëzimin e transportit publik në vend të automobilave personalë. Megjithatë, për arsye sigurie nuk është bërë e ditur axhenda e plotë e presidentit amerikan. Gjatë ditës së djeshme, në Samitin e Bukureshtit ishte i pranishëm edhe presidenti rus, Vladimir Putin. Pas takimit me udhëheqësit më të lartë të NATO-s u bë e ditur se bisedimet u zhvilluan në një frymë pozitive, megjithëse nuk u njoftua ndonjë arritje e rëndësishme. Edhe presidenti Putin tha se ishte i kënaqur me bisedimet, por vuri në dukje disa probleme, si kundërshtimin e Rusisë ndaj planeve amerikane për instalimin në Europë të një sistemi për mbrojtjen nga raketat dhe vazhdimin e zgjerimit të NATO-s. Udhëheqësit e NATO-s u shprehën kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë në rrugën e anëtarësimit, por premtuan se dy ish-republikat sovjetike një ditë do të bëheshin anëtare. Presidenti Putin e bëri të qartë se planet e NATO-s për zgjerim drejt lindjes mbeteshin problem për Rusinë. Ai tha se një bllok i fuqishëm ushtarak dhe duke u zgjeruar drejt kufijve me Rusinë, do të konsiderohej si një kërcënim i drejtpërdrejtë ushtarak dhe premtimet se në fakt nuk ishte i tillë nuk mjaftonin. Presidenti rus shtoi se planet e NATO-s për të ndërtuar një sistem raketor mbrojtës në Europë nuk kontribuonin ndaj një atmosfere besimi. Megjithatë, ai tha se kjo çështje do të diskutohej me presidentin Bush, kur ata do të takohen si kryetarë shtetesh, këtë fundjavë.
5 Prill 2008