E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj kthehet triumfalisht në Kosovë

Haga i shpalli Haradinajn dhe Idriz Balajn të pafajshëm. Mediat amerikane: “U dorëzua si kryeministër, kthehet si hero”

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka mbërritur dje në Kosovë. Trupi gjykues i Gjykatës së Hagës, të enjten e ka shpallur të pafajshëm Haradinajn, ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit dhe e ka liruar atë nga të gjitha akuzat. Nga akuzat u lirua edhe i akuzuari tjetër, Idriz Balaj, ndërsa fajtor u shpall Lahi Brahimaj, i cili u dënua me 6 vjet heqje lirie. Haradinaj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është pritur nga zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, të partive politike dhe të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Këshilli Organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë së drejtuar nga Haradinaj, organizoi pritje për liderin e kësaj partie në Aeroportin e Prishtinës. Mediat botërore e kanë konsideruar kthimin e ish-kryeministrit kosovar si një kthim prej heroi. “Kur u dorëzua në gjykatë pasi u akuzua, Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës që po luftonte për pavarësi. Ai do të kthehet në shtetin e ri të pavarur ku, sipas analistëve, parashikohet të jetë një hero edhe më i madh sesa ishte më parë”. Kështu citonte radioja Zëri i Amerikës pas lajmit për Haradinajn. Mediat amerikane njoftuan për lirimin nga të gjitha akuzat nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke theksuar se ai u lirua pasi gjyqtarët konstatuan se “prokurorët nuk kishin mundur të provonin akuzën për fushatë të paramenduar në vrasjen dhe dëbimin e civilëve serbë”. Ndërkohë, e përditshmja amerikane, “The New York Times”, e ka cilësuar Haradinajn si një lider të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që luftoi forcat serbe në fund të viteve ’90. “Haradinaj ishte partner kyç në përpjekjet e Perëndimit për të sjellë paqe në Kosovë dhe nga Perëndimi shihej si një forcë stabiliteti për rajonin. Zoti Haradinaj është parë si një nga liderët më karizmatikë që doli nga luftërat në Ballkan dhe se ai konsiderohej nga shumica e kosovarëve si një hero”, - shkruan gazeta “New York Times”. Edhe programi në gjuhën angleze i radios shtetërore Zëri i Amerikës njoftonte se “bazuar në provat që kishte ofruar prokuroria, gjyqtarët thanë se e kishin pasur të vështirë të bindeshin nëse kanë ndodhur krimet
apo nëse ishte përgjegjëse UÇK-ja dhe se provat nga gjyqtarët ishin quajtur të pamjaftueshme, të paqarta, të paargumentuara dhe të paqena në të 37 pikat e aktakuzës”. Radioja amerikane është shprehur se shumë serbë do të jenë të pakënaqur me këtë vendim të gjykatës.

5 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›