"Act Expo 2009" në Tiranë, kundër ngrohjes globale
U përurua të dielën pasdite në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozita "Act Expo 2009" në Tiranë. Ajo përcjell projekte grafike, që janë rezultat i punës së artistëve e profesionistëve nga e gjithë bota, të cilët janë të impenjuar në betejën kundër ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike. Tema kryesore e ekspozitës është pushteti i publicitetit, që nuk kufizohet prej qëllimeve tregtare dhe ekonomike, por që dëshiron të shprehë një mesazh të fortë për shoqërinë. Pjesë e kësaj ekspozite do të jetë edhe një tjetër projekt i titulluar "Letra e Bardhë", që vjen për të promovuar dhe ndarë këtë përvojë të veçantë në Shqipëri, duke ftuar agjenci të ndryshme publicitare, studio grafike, profesionistë të komunikimit dhe artistë për të dhënë kontributin e tyre nëpërmjet mesazheve dhe ideve në formatin kartolinë, për sensibilizimin e publikut. Temat janë "Tutela e natyrës", "Ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike" "Vlerat dhe virtytet njerëzore". Krijimet më të mira janë pasqyruar në këtë ekspozitë e më pas do të shpërndahen në formatin kartolinë. "Act Expo 2009" është një ekspozitë e krijuar në mënyrë interaktive. Publiku do të ketë mundësi të firmosë online nëpërmjet një webcam një peticion mbi temën "Time for climate justice".