"Të kthehet Ballkani në vend kulture"
Organizatorët e Tirana Film Festival kanë preferuar të përshëndesin mediat me një konferencë përmbyllëse, ku pjesëmarrësi i vetëm ishte Theo Angelopoulos, regjisori i madh grek, i cili u nderua në këtë festival me çmimin e karrierës. Nga ana e tij, ai e vlerëson çmimin. "Është një mirënjohje ndaj vlerave dhe një rivlerësim. Ka dhurata të mëdha e të vogla, por mbeten dhurata", shprehet regjisori. Ai e vlerëson festivalin e filmit, si një vend të ri kulture. Gjithnjë e ka menduar kështu. Për të, një festival është një vend dialogu ku flitet për filmat, ku gazetarët e regjisorët mblidhen së bashku e flasin mbi problematika të ndryshme e vlerat e kinematografisë. Në bashkëbisedimin me gazetarët, Angelopoulos flet për tema të ndryshme, të cilat prekin nga afër kinematografinë, jo vetëm atë që bën ai, por edhe atë ballkanike, festivalet e filmave, televizionin e subjektet që regjisorit grek i interesojnë më së shumti për t‘i përcjellë para ekranit. I pyetur se nëse temat ballkanike vijojnë të ngacmojnë interesin e kinematografisë botërore, ai përgjigjet se Ballkani është pjesë e Europës. "Zona më e tronditur e saj, nga e cila kanë nisur shumë luftëra. Nga ana tjetër, nga pikëpamja e temave, unë mendoj se ndoshta është zona më e pasur e kontinentit. Ekzistojnë shumë-shumë tema siç janë marrëdhënia me njëri-tjetrin, lidhjet me historinë e madhe, me histori personale, me kufijtë, gjuhët, traditat. Të gjitha këto krijojnë shumëngjyrshmëri, e cila është tepër ngacmuese. Pastaj tek e fundit jemi ballkanas, e njëkohësisht edhe europianë", thotë ai, duke cituar rastin e regjisorit serb Goran Paskaljeviç, filmat e të cilit ngacmojnë publikun pikërisht me temat ballkanase. Sa i përket krijimtarisë së tij, pyetjes nëse reflekton ashpërsia e politikës ballkanike tek ajo, regjisori grek përgjigjet se për këtë duhet të gjykojnë kritikët e historianët. "Megjithatë mendoj se vepra ime, edhe pse nuk duket shumë, në thelb ka të bëjë me historinë e madhe. Unë jam i lidhur në një periudhë kur Greqia ishte tepër e tronditur, sikurse i gjithë Ballkani por edhe Europa. Jam i lindur brenda ngjarjeve të mëdha. Nuk mund të ndërroj. S‘mund të zhbëhem prej tyre. Më ndjekin, si një fat. Përpiqem të flas për ato që quhen histori personale, fate njerëzish, e të gjitha këto të para në kontekstin e historisë së madhe të të gjithë Ballkanit", vijon më tej ai. Theo Angelopoulos e mbyll bashkëbisedimin duke folur për industrinë e kinematografisë në Ballkan, dhe problemet me financimet duke u nisur prej vendit të tij, Greqisë. "Greqia nuk ka industri. Por ajo mund të ketë burime kulture. Buxheti që i takon kulturës është kaq i vogël... mund të ishte më i madh që t‘i jepej një shtyrje e mëtejshme kulturës, kinemasë, teatrit, muzikës, çdo gjeje që ka të bëjë me kulturën. Për mua ideja është se Greqia, mund të ishte vetëm një vend që prodhon kulturë. Këtë mund ta thoshte çdokush për të gjitha vendet e Ballkanit", shprehet ai, duke nënkuptuar se metamorfoza e Ballkanit, është kthimi në vende kulture, në varësi të mundësive që kanë secili prej tyre. "E di që është utopi, por megjithatë e them", përfundon Theo Angelopoulos.