E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra: Inter, shihemi në finalen e Champions

"Mirupafshim dhe faleminderit. Faleminderit vërtet, për gjithçka dhe paçi fat edhe ju". Zlatan Ibrahimoviç ka ikur kështu nga Interi, duke u thënë të gjithëve faleminderit. Suedezi ka braktisur fazën përgatitore me skuadrën zikaltër në Boston dhe është rikthyer në Europë, ku së shpejti do të duhet t‘i bashkohet Barcelonës. I ka përshëndetur përzemërsisht tashmë ish-shokët e tij të skuadrës.

Lamtumira

Sipas të përditshmes suedeze "Aftonbladet", sulmuesi u ka lënë interistëve edhe një takim në Madrid, në majin e ardhshëm: "Shihemi në finalen e Champions League". Ish-numri 8 i zikaltërve është larguar për në vendlindje, në Malmoe. Tashmë ka filluar të mendojë për atë që do të bëjnë së bashku në çift talenti argjentinas Leo Mesi dhe gjiganti suedez. "Inteligjent, elegant, gjenial absolut", kështu e përshkruante e përditshmja katalanase "Sport". Të hënën Ibra do të duhet të prezantohet zyrtarisht në "Kamp Nou", në të njëjtën ditë në të cilën pritet të mbërrijnë në Milano Samuel Eto‘o. Vetëm koha do ta tregojë, nëse shkëmbimi i "As"-ave do t‘i kënaqë të dyja skuadrat.

Problemi Hleb

Ndërkohë, për momentin duket se në këtë tratativë shfaqet një pengesë e paparashikuar. Aleksandër Hleb as nuk e ka ndërmend të transferohet nga Barcelona në Milano. Mesfushorit bjellorus do t‘i duhet të pranojë kalimin në formë huazimi nga katalanasit te klubi i Masimo Moratit si një pjesë e super-tratativës, e cila do të çojë sulmuesin afrikan Samuel Eto‘o te zikaltrit dhe bomberin suedez Zlatan Ibrahimoviç te blaugranët. Por lojtari, në një intervistë të dhënë për revistën sportive gjermane "Sport Bild", ka nënvizuar se nuk është dakord: "Unë kam një kontratë me Barcelonën dhe po përgatitem për sezonin e ardhshëm. Objektivi im është të qëndroj këtu dhe të jem i disponueshëm për skuadrën".

Menaxheri

Por Mino Raiola, menaxheri i Zlatan Ibrahimoviç e Maksuell ka bërë të ditur se bjellorusi ka qenë pjesë e tratativës, e cila ka çuar pikërisht mbrojtësin brazilian te Barcelona dhe jo e asaj që ka lidhje me suedezin dhe kamerunasin Eto‘o. Gjithsesi, sipas shtypit spanjoll, Ibra do të prezantohet zyrtarisht të hënën në Barcelonë. Menaxheri i suedezit thekson se Ibra dëshironte të shkonte te Barcelona dhe një tratativë e tillë kishte nisur një vit më parë. Por, nëse kjo nuk do të ishte e mundur, ai do të ishte i kënaqur edhe me qëndrimin tek Interi. Ka zgjedhur klubin katalanas mbi të gjitha për kualitetin e lojës së shprehur nga skuadra e Guardiolës. "Mungojnë ende edhe detajet e fundit, ka shtuar menaxheri i sulmuesit suedez. Në linjën teorike ende gjithçka mund të hidhet në erë, duke marrë në konsideratë se, akoma nuk kemi një marrëveshje përfundimtare, por mendoj se një gjë e tillë do të arrihet shpejt", ka thënë në fund ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›