E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adela: BB, shpresa ime e vetme

Kanë qenë të ndryshme bisedat e banorëve brenda shtëpisë së "Big Brother". Tashmë janë në fazën që e njohin më mirë njëri-tjetrin e madje kanë nisur edhe të analizojnë veprimet mes tyre. Ata diskutojnë gjithçka ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, parashikojnë edhe se çfarë do të ishte mirë të ndodhte në mënyrë që ngjarjet brenda shtëpisë të bëhen më interesante.

"Nuk kam pse të pozicionohem"

Aida ngacmon Dritanin dhe i thotë se ai nuk ka qejf të pozicionohet. Dritani i thotë se do të pozicionohet atëherë kur ta shohë të arsyeshme, por jo se e ka me frikë. Aida i jep të drejtë, por i thotë se ai ka marrë disa ngjyra pozicionimi. Dritani mendon se, nëse e ka fjalën për debatin e saj, ai nuk ka pse të pozicionohet, pasi nuk i takon.

Mungojnë flirtet

Adi gjen në kopsht shapkat e tij, të cilat mendonte që i kishte marrë Agoni. Këtu merr shkas Qetsori dhe diskuton për Agonin. Ai thotë: "Agoni do jetë mërzitur jashtë!" Adi e kundërshton duke i thënë se ai nuk ishte nga ata tipa që e vrisnin shumë mendjen për këto gjëra. Qetsori fillon të diskutojë se si do jetë kur ata të gjithë të dalin. Ai thotë: "Kur të dalim do jemi shokë, apo ku të kam parë?". Adi i thotë që ata do takohen, por jo shumë shpesh. Qetsori mendon se të gjithë duhet të shkojnë në dasmën e Dritanit. Biseda kalon në jetën brenda në shtëpi. Ata janë të mendimit që në shtëpi mungojnë flirtet. Sipas Qetsorit, mes Zhuljetës dhe Arjonit mund të lindte diçka e bukur. Ai thotë që nuk i kupton të rinjtë brenda në shtëpi, pasi sipas tij janë shumë pasivë. Adi i thotë: "Po të kisha një moshataren time brenda dhe të më pëlqente, unë do ta provoja!"

Mesida: "Dua të kem një lidhje!"

Arjoni dhe Mesida diskutojnë për jetesën brenda në "Big Brother". Mesida i thotë që për të është shumë e vështirë, pasi ajo ka ndryshuar shumë që kur ka hyrë në shtëpi. Ajo tregon që jashtë është person shumë i qeshur dhe nuk i pëlqen që brenda është bërë shumë nervoze. Arjoni fillon të diskutojë për lidhjet dhe e pyet nëse ajo do të pranonte të kishte një flirt me dikë. Mesida i thotë: "Kur të gjej dikë, dua të kem një lidhje. Flirti mua nuk më hyn në xhep!". Ajo vazhdon duke i thënë që për të, një lidhje është shumë e rëndësishme, pasi dëshiron që personi që të ketë në krah të ndihet mirë me të. Arjoni tregon për lidhjen e tij 10- vjeçare dhe i thotë që ndihej mirë me atë person dhe që kishte besim tek ajo. Biseda kalon duke diskutuar për Shën Valentinin. Arjoni shprehet se nuk i pëlqen si festë, ndërsa Mesida thotë: "Mua më pëlqen, pasi ka shumë zemra. Mua më pëlqejnë shumë zemrat!"

"S‘e kanë kuptuar sensin e provës!"

Djemtë diskutojnë për provat e javës, duke përmendur disa nga ato. Adi i thotë Tanit që të jetë më i rreptë më të. Arjoni thotë që banorët nuk e kanë kuptuar ende sensin e provës së javës. Ai thotë që vërtet ata duhet të jenë seriozë në realizimin e tyre, por që njëkohësisht dhe të kënaqen.

Bjordi: "Pse sillesh mirë, kur ajo të shan?"

Pas mbarimit të provës, banorët ndjehen të lodhur. Adelajda qëndron shtrirë dhe diskuton me Bjordin fjalët që i kishte thënë Mimoza. Sipas saj, Aida dhe Mesida e kishin influencuar, duke i thënë që nuk duhet të rrinte më me të. Mimoza i kishte thënë që ato rrinin gjithë ditën duke e sharë Adelajdën. Sipas Adelajdës, Aida ose Mesida duhet të largohet nga shtëpia. Bjordi nuk e kupton sjelljen e Adelajdës në lidhje me Liritën. Ai i thotë: "Pse sillesh mirë me Liritën, kur e di që ajo të shan ty?" Adelajda mundohet ta justifikojë, duke thënë që sipas mendimit të saj, ajo nuk flet keq për të, por janë Aida dhe Mesida ato që e shajnë.

"Jetoje momentin!"

"Ty të pëlqen Bjordi!", i ka thënë Qetsori Adelajdes. Ajo e ka pyetur në ç‘kuptim e thoshte këtë, dhe ai është shpjeguar se donte të thoshte që ata, përveçse janë shokë, kanë edhe një farë ndjenje për njëri-tjetrin. "Bjordin e dua fort, por nuk e dashuroj, nuk më pëlqejnë këta tipa!", - i është përgjigjur ajo. Qetsori i ka thënë se "dashuroj" është një fjalë shumë e madhe, ai e kishte fjalën për një ndjenjë në kufijtë e pëlqimit me të dashurisë, por Adelajda ka kundërshtuar, duke thënë se ajo dhe Bjordi ishin shumë larg me konceptet e tyre. Ajo ka shtuar se Bjordi po përpiqet ta ndryshojë, por, në këtë moshë, vështirë që ajo të ndryshojë. Qetsori i ka thënë se ajo vet ka deklaruar se donte ta ndryshonte jetën dhe për këtë, momenti i duhur ishte tani.

"Do të luaj, sepse duhet të fitoj!"

Duke biseduar me Qetsorin, Adelajda ka thënë: "Kur hyra këtu, të gjithë njerëzit, opinioni i të cilëve nuk është se më intereson shumë, por gjithsesi më prek, kanë menduar se kam bërë një gabim të madh. Unë kam lënë jashtë një jetë të ndërtuar, kjo edhe me personin që kisha lidhje, por që nuk ndihesha mirë. Faktikisht, nuk jam ndjerë asnjëherë mirë. Ishte një zgjedhje e gabuar, por isha 18 vjeçe. Jam përpjekur ta ndryshojë, por asnjëherë nuk më është dhënë mundësia. Kështu që, nëse unë dua t‘iu tregoj të tjerëve, që nuk kam bërë gabim, por përkundrazi, kam bërë mirë, duhet të shkoj deri në finale. Qetsori e ka pyetur me kë ishte në garë ajo në këtë lojë: me të tjerët jashtë apo me veten. Adelajda i ka thënë se që kur kishte hyrë brenda, i kishte harruar ata jashtë. Sori i ka thënë sesi ishte e mundur atëherë që interesohej aq shumë se çfarë mendonin të tjerët. "Unë kam hyrë si konkurrente dhe duhet të fitoj! Sepse po fitova, së pari fitoj lojën dhe së dyti dhe më e rëndësishmja, ndryshoj jetën time!" Qetsori i ka thënë se në këtë rast, ajo duhet të bënte hapa të mëdhenj dhe jo lëvizje të matura.

"Aida nuk e priste këtë reagim"

Arjoni i tregon Bikës se Aida është ndjerë shumë keq që Lirita nuk e përkrahu fare në debatin që bëri me Adelën edhe pse ajo e kishte mbrojtur kur ajo kishte nevojë. Arjoni mendon se Lirita nuk duhet të mbante këtë qëndrim pasi janë shoqe, dhe shoqen e përkrah në çdo moment sikurse bëri Mesida, e cila e mbështeti Aidën edhe pse nuk ishte fare në brendësi të bisedës. Për Bikën, ndërhyrja e Mesidës ishte e pavend ndërsa për Liritën, mendon se duhet të kishte shprehur atë që mendonte vërtetë edhe pse mund të kishte mendim ndryshe nga ai i Aidës. Bika tregon se e kundërshtoi Adelën sepse nuk iu duk e drejtë që ajo foli në emër të saj por, gjithsesi kjo nuk bëri që relatat mes tyre të ndryshonin.

"Kësaj jave, jam në nominim!"

"Kësaj jave, jam në nominim!", i ka thënë Adelajda Republikës. Sipas Republikës, ajo nuk duhet të ishte aq e sigurt, sepse asgjëje nuk i dihej, madje, mund të ishte ajo e nominuara e kësaj jave dhe jo Adela. Adela i ka thënë se për mendimin e saj, Bika nuk ishte shumë e rrezikuar, ndërsa ajo po. Duke qeshur, Republika i ka thënë: "Më duket se do të vëmë edhe ne baste si Sori!"

"Dua të punoj në ‘Top Channel‘!"

Mimoza ka shprehur dëshirën dhe shpresën që pasi të dilte nga "Big Brother", të punonte në "Top Channel". Por fillimisht, ato janë "zënë" me Adelajden, se cila do të ishte prezantuese e cila do të bënte reklamën e "DigitAlb"-it. "Reklamën e ‘DigitAlb‘-it do ta bëj unë!, i ka thënë Mimoza Adelajdes, ti do të jesh prezantuese!". "E pse mos ta bëj unë?, i ka thënë Adelajda, e kam parë dhe në ëndërr!". Më në fund Bika, që për vete do të donte gazetare apo folëse lajmesh, i ka ndarë gjërat: Moza do të bëjë reklamën, Adelajda do të jetë prezantuese.

"Bjordi është shprehur gabim"

Arjoni i tregon Sorit dhe Dritanit se Bjordi ishte shprehur se askush nuk mund ta nominojë, pasi ka njerëz lart. Djemtë habiten me këtë shprehje dhe Dritani thotë se bëjnë mirë që t‘i sulen një herë Bjordit e të shohin reagimin e tij. Arjoni, i prekur nga këto fjalë, mendon se është e kotë që të vazhdojë të qëndrojë në shtëpi. Sori mendon se është vetëm një mendim i shprehur gabim e me nxitim, sepse nuk mund të jetë e vërtetë kjo gjë. Ai thotë se me Bjordin veproi një herë gabim dhe ja ku gjendet në këtë situatë dhe e këshillon Arjonin që të mos i marrë këto fjalë si të mirëqena. Arjoni tregon se Mesida i kishte thënë Bjordit se me këtë shprehje po dënonte veten, ndërsa Dritani shton se Bjordit veç i ka hyrë vetja në qejf.

"Grupi i Labërisë po ecën fortë"

Bika dhe Arjoni flasin për këtë të shtunë. Bika mendon se do të dalë Mesida dhe i vjen keq se ajo e ka nominuar si atë, edhe Arjonin dhe tregon se u ndje shumë keq kur i përmendi të dy emrat në momentin e nominimeve. Bika tregon se kishte menduar për tjetër person, Adin, por ai fitoi imunitet, por sidoqoftë, këtë javë do ta nominojë. Arjoni i thotë se personat që do të nominojnë duhet t‘i mendojnë mirë, sepse duhet parë loja që bëjnë në shtëpi. Ai komenton sjelljen e disa banorëve në shtëpi si Moza, Bjordi, Lirita apo Adela, të cilët nuk japin shumë dhe mendon se mjaft i kanë lejuar të qëndrojnë ende në shtëpi, si parazitë. Për Adin, ai mendon se edhe pse nuk është shfaqur, ka ende për të treguar për veten. Arjoni flet se banorët e tjerë duke përfshirë dhe veten, po e mbajnë lojën dhe thotë se katërshja e Labërisë, po ecën më fortë si grup.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›