E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adela, prezantuese në "E Diell"

Një javë e re ka nisur për banorët e shtëpisë së "Big Brother". Pas natës së spektaklit kanë nisur edhe një herë diskutimet mbi gjithë sa ka ndodhur, ndërsa nuk mund të mungonin edhe parashikimet se cili banor do të dalë kësaj jave prej shtëpisë. Në një bisedë me Adin, Qetsori është shprehur se "këtë javë ka seks në shtëpi!", duke iu referuar çifteve, e më shumë Arjonit e Anjezës.

Adela, e ftuar në spektaklin e së dielës

Adela ka qenë e ftuar në spektaklin e madh të së dielës, "E diell", nën drejtimin e Adi Krastës dhe Xhemi Shehut. Vëllai i madh ka vendosur t‘i bëjë një surprizë, Adelës, e cila prej kohësh kishte shprehur dëshirën të prezantonte së bashku me Krastën. Ajo ka kënduar këngën "Margjelo", si dhe ka provuar për një çast të jetë në rolin e prezantueses së "Sanremo"-s. "Jam shumë e gëzuar që gjendem këtu", është shprehur Adela. Më pas është nisur sërish për në shtëpinë e "Big Brother". Adela nuk ka pasur asnjë informacion mbi sa ndodhte jashtë shtëpisë.

Qetsori "debaton" me Anjezën

Qetsori i ka thënë Anjezës se kur i erdhi dhe asaj zëri, që deri dje po mekej, mos i ngeltë njeriu pa i ardhur. Ajo i është përgjigjur se kjo ishte loja e saj, që zëri t‘i vinte tani e jo që në fillim. "Mos jep shenja prishjeje ekuilibri", i ka thënë Qetsori. "Unë s‘po jap, po i jep ti, më duket", i është përgjigjur ajo. Qetsori ka vijuar duke i thënë se kështu ishte loja e tij dhe Anjeza i ka dhënë si përgjigje po të njëjtën gjë. "Në qoftë se njëri nga ju nuk shkon në krevat, do të rrezikoj një çift", ka thënë Qetsori. "Presion është ky?", e ka pyetur Anjeza. Qetsori i ka thënë se ajo po përpiqej ta sulmonte, por Anjeza e ka mohuar. "Je ti që e fillove i pari", i ka thënë ajo. "Fillojmë nesër", është përgjigjur ai. "Nesër", ka përfunduar Anjeza.

"Kjo është lojë"

Qetsori e ka pyetur Adin nëse për mendimin e tij do të kishte çifte që kësaj jave do të shkonin bashkë në krevat, sepse sipas tij, Arjonit "i takonte", ndërsa zysha do të thyente tabutë. "Këtë javë ka seks në shtëpi", ka thënë Qetsori, duke shtuar se kjo ishte lojë dhe çështja ishte se kush luante më fort. Sipas Adit, Qetsori duhet të kuptonte që ai ishte protagonist në lojën për të cilën po fliste, por Qetsori ia ka hedhur poshtë, duke i thënë se ai vetë Dritanin, që tashmë ishte jashtë, e kishte parë si protagonist, por nuk kishte qenë kështu. Më pas, biseda e djemve u zhvillua rreth Dritanit, ato çfarë ai kishte shfaqur brenda shtëpisë, apo aludimet rreth përshtypjeve që publiku jashtë mund të kishte për të.

"Mimoza është njësh"

"Mimozën nuk e ha dot njeri", ka thënë Qetsori, duke biseduar me Adin dhe Arin. Sipas tyre, kjo ndodhte sepse Mimoza ishte e bukur. Ata kanë përmendur edhe faktin që në përballjen e fundit, Dritan-Mimoza, ishte Dritani ai që la shtëpinë. Qetsori ka thënë se ai e kishte nuhatur një gjë të tillë dhe ka shprehur gjithashtu edhe frikën se nëse do t‘i duhej të përballej me Mimozën, do të ishte ai që do të dilte. "Mimoza të ha kokën Mimoza është njësh", ka përfunduar ai.

"Kësaj jave do të luaj fort"

"Kësaj jave do të luaj fort", i ka thënë Qetsori Adit. "Do të mundohem të bëj spektakël". Ai ka shtuar se duke qenë i vetëm, tek, do t‘i duhej të prishte shumë ekuilibra. Sipas Qetsorit, ai kështu luante dhe publiku kështu e njihte. Më pas, ai i ka thënë Adit se i vinte keq që kësaj jave, gjatë lojës që kishte menduar të bënte, mund të përplasej edhe me të, sepse mendonte se njërit prej çifteve, Adi do t‘i dilte në mbrojtje. Adi fillimisht e ka mohuar, por më pas ka thënë se gjithçka varej nga sistemi që Qetsori do të zgjidhte për t‘i sulmuar. Sipas Adit, Qetsori kishte dy rrugë: zgjuarsinë ose egërsinë.

"Si Tani, këtu nuk ka tjetër"

Adelajda dhe Mimoza kanë biseduar në lidhje me daljen e Dritanit nga shtëpia dhe momentet kur prisnin të mësonin nëse do të ishte ai apo Mimoza. Kjo e fundit ka thënë se kishte provuar emocione që nuk i kishte provuar asnjëherë tjetër. Adelajda ka thënë se priste të dilte Aida ose Anjeza dhe kushdo që do të dilte më pas, Tani apo Moza, ajo njësoj do të mërzitej. Ajo ka thënë për Dritanin se ishte i veçantë dhe se për të asnjë në shtëpi nuk ishte si ai. "Si Tani, këtu nuk ka tjetër", ka thënë Adela. Sipas saj, ai nuk e meritonte të dilte e aq më tepër në nominimin e parë. "Tani ishte çun me vlera, ka thënë Adela, unë kam respekt të jashtëzakonshëm, e dua me të vërtetë shumë".

"Është hera e parë që ndiej kaq shumë"

"Mami jot është shumë e mirë dhe të kupton", i ka thënë Adi Anjezës që po qante. Adi ka shtuar se njerëzit jashtë duhet të kuptonin që ndryshe i shihje gjërat nga jashtë dhe ndryshe ishte kur ishe brenda. Lidhur me këtë, Anjeza ka thënë se edhe me atë kështu kishte ndodhur. Ajo ka shtuar se kur kishte qenë jashtë, Arjoni ishte njeriu që nuk e mendonte as të rrinte apo të bisedonte dhe jo më të kishte kaq afrimitet. "Është i vetmi njeri që më ka dhënë ndjenja, që jashtë nuk i kam gjetur ndonjëherë". "Të lutem, respektoje këtë ndjenjë", i ka thënë Adi. Anjeza i është përgjigjur se atë ishte duke bërë. Sipas Adit, ajo duhej të bënte atë që ndjente, që i thoshte zemra, pa pasur asnjë lloj kompleksi. "Është hera e parë që ndiej kaq shumë", ka thënë ajo. Adi i ka thënë gjithashtu se i vinte shumë mirë që Arjoni kishte zgjedhur pikërisht atë si shoqe. Më pas aty ka ardhur Bjordi, që kur e ka parë Anjezën të qante, e ka përqafuar. Adi i ka thënë se duhet ta dinte që atë moment ishte me dy njerëz që e donin. "Që i dua dhe më duan", ka thënë Anjeza.

"Publiku vlerëson spektaklin"

"Nuk ka nevojë të ta them që është një lojë", i ka thënë Bjordi Adelës, e cila qante për daljen e Dritanit nga shtëpia. "Nuk e meritonte Tani", ka thënë ajo. Më shumë e meritoja unë". Më pas ajo ka shtuar se e donte shumë Anjezën, por nuk i vinte mirë që të rrinte ajo dhe të dilte Dritani. Ai i ka thënë se të njëjtat gjëra që ajo po thoshte tani për Dritanin, ai i kishte thënë për Liritën, kur kjo e fundit kishte lënë shtëpinë e "Big Brother". Sipas Adelës, në shtëpi do të ngelen vetëm llafazanët dhe ngatërrestarët. Sipas Bjordit, publikut i interesonin më shumë këta të fundit. "I miri nuk fiton kurrë", ka thënë Bjordi. "Atëherë i bie që javës tjetër të dal unë", ka thënë Adela. "Ti, për sa kohë do të rrish afër meje, nuk ke për të dalë", i ka thënë Bjordi. Sipas tij, publiku vlerësonte ata që jepnin spektakël, Qetsorin, Aidën e po ashtu edhe ata të dy.

"Të falënderoj për gjithçka"

Arjoni i ka thënë Anjezës se ishte ai që këtë javë do të linte shtëpinë e "Big Brother". "Do të të pres jashtë", i ka thënë ai. Por sipas Anjezës nuk ishte ai që do të dilte. Ajo i tha se këtë e dinte shumë mirë. "Ashtu siç e dije se do të dilje ti?!", i tha Arjoni me shaka. "Jo, ti nuk do të dalësh", ka këmbëngulur ajo. Më pas Anjeza i ka thënë Arjonit se e falënderonte shumë, për gjithçka që ai kishte bërë për të këtë javë. "Më ke bërë të ndihem shumë mirë", i ka thënë ajo.

"Ti nuk je e sinqertë"

Duke biseduar të tre, Mimoza, Ari dhe Qetsori, Ari i ka thënë Mimozës se ajo nuk ishte aspak e sinqertë. Mimoza nuk e ka pranuar këtë dhe ka kërkuar nga Ari që ai t‘i shpjegojë arsyet pse e mendonte apo e thoshte diçka të tillë. "Sepse fjalët e tua nuk janë koherente me veprimet që bën", i ka thënë ai. "Kush është më i sinqerti në këtë shtëpi?", e ka pyetur Qetsori Arin. "Nuk e di, i ka thënë ai, por kjo jo".

"Adi ishte zgjedhja më e mirë"

Duke biseduar me Arin, Mimoza i ka treguar atij për momentin kur Vëllai i Madh e kishte vënë përpara zgjedhjes se cilin banor të shtëpisë do të shpëtonte nga nominimi dhe ajo kishte zgjedhur Adin. "Po të mos zgjidhje Adin, kë do të zgjidhje?", e ka pyetur ai. "Do të zgjidhja Aidën!", ka thënë Mimoza, duke shtuar se si zgjedhja e Aidës, ashtu edhe e Adelajdes apo kujtdo tjetër do t‘i kishin bërë gjërat lëmsh. Në atë moment i kishte ardhur ndërmend Adi dhe kishte thënë emrin e tij, duke e shpëtuar nga nominimi. "Adi ishte zgjedhja më e mirë", ka thënë ajo.

"Dua të ndihem i vlerësuar"

Qetsori ka pyetur: "Më mirë i mirë dhe i varfër, apo kavie dhe i pasur"? Arjani nuk ka qenë dakord me këtë krahasim. Më pas ai ka shtuar se një njeri i mirë, por që mbetet gjithmonë i varfër, i binte të ishte budalla. Adi ka thënë se preferonte të ishte kavie me 70 mijë euro në xhep, ndërsa Arjani ka thënë se donte të ishte njeri i mirë dhe i varfër. Sipas Adit, kjo që po thoshte nuk e justifikonte hyrjen e tij në "Big Brother", por Arjani nuk ka qenë dakord. Ai ka shtuar se lekët atij nuk i kishin munguar kurrë e nuk do t‘i mungonin ndonjëherë, pasi për këtë kishte menduar babai dhe vëllai i tij. Ai ka thënë se vetë nuk diti t‘i mbante ato që siguroi në rini, por të paktën i kishte kthyer në dije, i kishte investuar për veten. Në vijim ai ka thënë se e rëndësishme për të ishte ta fillonte e ta mbaronte ditën me impenjim dhe jo të rrinte kot. "E ndjej që kam gjëra për të dhënë, ka thënë ai, dhe për këto dua të ndihem i vlerësuar". Ai ka shtuar se nuk i vlerësonte të tjerët nga lekët që kishin dhe donte që dhe të tjerët të bënin të njëjtën gjë me të. "Më mirë një grua dhe dy fëmijë të mrekullueshëm si ty, sesa 500 mijë euro", i ka thënë ai Qetsorit.

"Dua dikë të vërtetë"

"Dua një femër që të identifikohet tek unë dhe unë tek ajo", ka thënë Ari. Ai i ka treguar Qetsorit, Adit, Anjezës dhe Mimozës, se kishte pasur aq shumë femra, sa të tjerëve mund t‘u dukej e paimagjinueshme. Por këto ishin gjëra që nuk i interesonin më, madje, siç ka thënë ai, shpeshherë kur i kujtonte i dukej sikur nuk kishte qenë ai që i kishte jetuar ato kohë. Ari tha se shikonte që këtu të gjithë donin gjithçka për vete, ndërkohë që ai ishte i lodhur nga këto gjëra. Ai donte të gjente dikë të vërtetë, një femër që ta ndjente dhe ta kishte të vetën.

"Dua të shkoj në Hënë"

"Unë dua të bëhem milioner", ka thënë Qetsori. Ai ka treguar se kishte disa ëndrra në jetë, të shkonte në Hënë me anije kozmike dhe hirin e tij, kur të vdiste, ta hidhte në hapësirë. Qetsori është shprehur edhe për dëshirat e veta në lidhje me fëmijët e tij. Ai ëndërronte që djali i tij të studionte biomekanikë dhe vajza e tij të ishte "e papame".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›