Topi uron besimtarët për Pashkët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, kanë bërë dje një vizitë në Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës në Tiranë, në katedralen "Gjon Pali", me rastin e festës së Pashkëve katolike, ku u pritën nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore dhe njëkohësisht Ipeshkvi i Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita. Presidenti Topi i shprehu Imzot Rrok Mirditës urimet më të mira për të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë me rastin e festës së Pashkëve, festës së rilindjes së shpresës për një të ardhme më të mirë për kombin tonë dhe mbarë njerëzimin. Ndërsa Imzot Rrok Mirdita ka falënderuar Presidentin Topi dhe Zonjën e Parë, Teuta Topi, për vizitën dhe theksoi se në këtë ditë të shënuar të kremtimit më të madh të ringjalljes së Jezusit, janë të rëndësishme mesazhet e paqes, tolerancës, mirëkuptimit dhe komunikimit me njëri-tjetrin.