E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet numri i pacientëve nga hipertensioni

Mjekët e Beratit kanë ofruar vizita dhe analiza falas për të gjithë qytetarët e Beratit në Ditën Botërore kundër Sëmundjeve të Hipertensionit dhe Diabetit. Dy qendra shëndetësore, njëra në lagjen "Muzakaj" ndërsa tjetra te "30 Vjetori", kanë ofruar dje, gjatë gjithë ditës, shërbime falas për matjen e tensionit dhe kryerjes së analizës së diabetit për qytetarët e interesuar. Sipas organizatores së këtij projekti, mjekes Arjana Lapardhaja, vetëm në këtë zonë janë evidentuar 150 pacientë që vuajnë nga hipertensioni dhe diabeti. Nga 100 vizitat e bëra dje paradite, nga qytetarë që nuk janë pacientë të rregullt, 30 prej tyre kanë shfaqur probleme me luhatjen e tensionit dhe rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, duke u konsideruar kontingjent risku për shfaqjen e hipertensionit dhe diabetit të sheqerit. Aktivitetet u zhvilluan falë mbështetjes së Shoqatës së Diabetikëve, shoqatës gjermane për shëndetin "Berlin-Chemie Menarini" dhe qendrave shëndetësore të mjekut të familjes. Aktiviteti synonte ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth rrezikut të këtyre dy sëmundjeve, që, sipas shifrave, përllogariten të jenë sëmundjet më të përhapura gjatë viteve të fundit dhe që numri i rasteve vjen në rritje nga viti në vit. Dekadat e fundit, këto dy sëmundje janë konsideruar si diagnozat më të përsëritura, nga të cilat shqiptarët preken më shumë. Që në orët e para të mëngjesit, në të gjitha rrugët e qytetit janë shpërndarë fletëpalosje me informacione rreth sëmundjeve të hipertensionit dhe diabetit. Ndërsa një grup vullnetarësh kanë ofruar për qytetarët matjen falas të peshës trupore, matjen e gjatësisë, për të nxjerrë indeksin e peshës trupore, ndryshimi i së cilës konsiderohet si faktor risku për shfaqjen e këtyre dy sëmundjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›