E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat e munguara të onkologjikut

Ndryshe nga sa ndodh rëndom në spitalet tona, aty nuk është e nevojshme të paguash 200 lekëshin te roja, që ai të të lejojë të hysh brenda. Jo, në këtë spital mund të hyjë lirisht kushdo, madje edhe një gazetar, që i shtyrë nga profesioni dhe kërshëria kërkon të mësojë më shumë, mbi gjendjen e pacientëve dhe kushtet e tyre. Në fakt, aty ekziston një zyrë pritjeje, apo recepsioni siç thuhet sot, por thjesht nuk funksionon si e tillë. Për këtë arsye, imazhi klasik i spitalit, që ka orare vizitash me pacientët apo edhe me mjekët, bie poshtë. Bëhet fjalë për një spital të restauruar dhe të rikonstruktuar, sipas kushteve bashkëkohore. Të paktën kjo pjesë mund të quhet e ezauruar. Ndaj le të kthehemi aty ku u nisëm. Ndërsa ngjisim një e nga një katet e spitalit dhe përpiqemi të kapim copëza bisedash nga familjarët e pacientëve të shtruar, nuk e kemi të vështirë të hyjmë brenda atij realiteti, në të cilin jetojmë të gjithë. Jemi në katin e dytë të kirurgjisë. Në korridor qëndron një burrë, që ndërsa thith cigaren (në fakt nuk do të duhej ta pinte aty) bisedon me dikë në telefon. Nga dialekti kuptova që ishte kosovar.

"Po, po shumë mirë doli", përgjigjej ai dhe sapo /////////mbyllte telefonin, lotët i rridhnin pa pushim. Dhe kjo situatë u përsërit disa herë. Për çdo herë që atë e telefononin. Mësova që në spitalin onkologjik të Tiranës ndodh shpesh të operohen edhe pacientë kosovarë, duke qenë se në Kosovë nuk ka një spital të tillë. Dhe ndërsa shikoja këtë burrë të ardhur nga Kosova, që qante i vetëm, mendova se vërtet ai kishte nevojë për dikë, për një fjalë. Dhe m‘u kujtua punonjësi social apo psikologu i spitalit. Po, po. Kisha marrë informacion, se në spitalin onkologjik ka një punonjës social dhe një psikolog, të cilët paguhen për t‘u qenë pranë pacientëve, por edhe familjarëve të tyre. Por njëkohësisht kisha mësuar se këta dy persona nuk i njihte askush. Kjo ishte ajo, që quhet fasadë. Ajo pjesa e dhimbjes njerëzore, të cilën e kanë jetuar vetëm ata, që kanë provuar shijen e hidhur të sëmundjes. Megjithatë duhet të pranojmë se onkologjiku është një nga spitalet, ku lufta për të jetuar është e fortë. E sigurisht për të përballuar gjithçka duhen medikamentet e munguara.

Buxheti i caktuar për spitalin onkologjik këtë vit është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

Këtë e konfirmojnë të dhënat statistikore, shifrat për investimet. Në 2007-ën, ky buxhet ka qenë rreth 3 milionë dollarë, në 2008-ën, 4 milionë dollarë, në vitin 2009 fondet për onkologjikun kanë shkuar në 1.7 milionë dollarë, më pak se gjysma. E thënë në fjalë të thjeshta, këto shifra tregojnë se pacientët e shtruar në këtë klinikë nuk kanë mundësi të trajtojnë sëmundjet për të luftuar tumoret.

Nga të dhënat e Shërbimit Onkologjik, rezulton se vitin e kaluar u morën 600 doza të një lloj medikamenti bazë për trajtimin e të sëmurëve, ndërsa këtë vit ato ishin vetëm 200. Sipas të dhënave të kartelave, rreth 30 pacientë, të cilët i kanë jetësore përdorimin e tyre, kanë nevojë për gati 1 mijë doza të tilla, të sëmurë të tjerë, në mungesë të ilaçeve, nuk kanë nisur ende trajtimin.

Në shërbimin e onkologjisë dhe hematologjisë një kategori pacientësh marrin mjekim tepër specifike. Pacientët që i nënshtrohen këtij trajtimi duhet të bëjnë përkatësisht nga 8 cikle bazë, për të cilat nevojiten barnat. Ato janë pjesa më e rëndësishme për kurimin e sëmundjes, ose lehtësimin e dhimbjeve.

Por aktualisht, spitali nuk mund t‘i përgjigjet kërkesave të pacientëve. Po nëse në spital shkojnë pacientë të rinj, veç atyre që të paktën e kanë bërë një trajtim? Ǒdo të bëhet?

Askush nuk di të japë përgjigje, ndonëse ajo tashmë është e nënkuptuar... Nuk do të trajtohen.

Precedenti

Shefi i onkologjikut, i akuzuar

për korrupsion, ende i zhdukur

Problemet, që prekin spitalin onkologjik lidhen sa me medikamentet, aq edhe me mjekët. Në nëntor të vitit të shkuar, shefi i këtij shërbimi, Agim Karaj, u arrestua nga policia me akuzën e korrupsionit. Gjykata e Tiranës lëshoi fillimisht një mandat arresti, i cili u ekzekutua brenda pak orësh nga specialistët e antikorrupsionit. Kjo e fundit, në bashkëpunim me Taks-Forcën e Prokurorisë, kishin më shumë se një muaj, që hetonin mjekun Agim Karaj dhe provat e mbledhura ndaj tij u depozituan në Gjykatën e Tiranës, që dha miratimin për arrestimin e kirurgut. Policia deklaroi pas arrestimit se Agim Karaj kryente ndërhyrje kirurgjikale të paguara me para. Por më pas, mjeku ka përfituar nga arresti i shtëpisë dhe pak kohë më vonë është arratisur, duke qenë në kërkim edhe sot.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›