E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adelajda dhe Bjordi refuzojnë spotin për “Big Brother 3”, kërcënohen me gjyq

Panorama PLUS 

Redona Sadiku

Duket e çuditshme por është e vërtetë. Sipas informacioneve tona, sapo Adela dhe Bjordi deklaruan në dy intervista për “Panorama Plus” se çfarë ndodhi realisht me programin “E diell” si dhe projektet e afërta të të dyve për të filluar në një tjetër televizion, drejtuesit e “Top Channel”, kanë reaguar menjëherë. Ata i kanë thirrur që të dy duke iu thënë se nuk mund të fillonin punë në një tjetër televizion përderisa kanë një kontratë me “Big Brother”, e cila mbaron në maj të vitit të ardhshëm. Sipas kësaj kontrate, imazhi i tyre do të jetë vetëm ekskluzivitet i “Top Media”. Natyrisht duke qenë të rinj dhe pa eksperiencë në punë kontratash dhe ligjesh, Bjordi dhe Adela, por natyrisht edhe të tjerë pjesmarrës në këtë program, me siguri që nuk e kanë menduar opsionin e të filluarit të një pune në një tjetër tv nëse kishin si synim botën e televizionit. Dhe kjo është mëse e natyrshme, pasi një kompani mediatike (në këtë rast “Top Media”) nuk është e thënë se do t’i punësojë të gjithë ata që shfaqin këtë dëshirë. Nga përvoja e dy programeve të kaluara, në përgjithësi ata që marrin pjesë në “Big Brother” synojnë botën e artit dhe të televizionit prandaj dhe e ardhmja e tyre është e drejtuar pikërisht aty. Edhe nëse Bjordi dhe Adela nuk do të kishin konfliktin me Top-in të krijuar pikërisht për shkak të programit “E diell”, në pamundësi të punësimit tek ky televizion, normal që do të kërkonin diku tjetër pasi ata kanë dëshirë të angazhohen në një punë, por kanë edhe nevojë për të ardhurat që vijnë prej saj. Prandaj dhe duket shumë absurde sesi një kontratë të mban peng duke mos të të dhënë asnjë rrugë zgjidhje. Minimalisht duhej të thuhej se nëse ti braktis këtë televizion për një tjetër, ti nuk ke më të drejtë të rikthehesh aty.  Mbase kjo ngjarje do të ishte një këmbanë alarmi për të gjithë ata konkurentë që nesër do të firmosin kontratën me “Big Brother”, në mënyrë që t’i njohin vetes të drejtën për të punuar diku pas këtij programi, natyrisht nëse nuk do ta gjejnë këtë hapësirë tek ai ekran që i lançon.
Për t’u kthyer tek rasti i Adelës dhe i Bjordit, ashtu siç edhe ata vetë e kanë deklaruar në intervistat e tyre tek “Panorama Plus” dy javë më parë, ofertat nga televizione të ndryshme kanë qenë të shumta sapo ata u larguan nga “E diell”. Duke mos patur asnjë hapësirë për të punuar në atë kompani mediatike, ata shqyrtuan mundësitë që iu ofroheshin gjetkë, pasi tashmë për ta ishte bërë e domosdoshme një punë. Sipas informacioneve tona ata tashmë e kanë bërë një zgjedhje e cila ka të bëjë me një ekran të njohur, në një program shumë të rëndësishëm ku të dy do të bëjnë më në fund atë për të cilën kanë aspiruar për kaq kohë. Duket se ky lajm i cili ka mbërritur edhe në korridoret e “Top Channel” i ka acaruar jo pak drejtuesit e tij të cilët kanë kërcënuar Adelën dhe Bjordin, se nëse ata shesin imazhin e tyre në një tjetër ekran, do t’i hedhin në gjyq. Ndërkohë e përsërisim, dy të rinjtë të cilët nuk kanë asnjë burim të ardhurash përveç ndihmës që iu japin prindërit respektivë, duhet të kenë patjetër një punë të cilën “Top Media” nuk ua ofron. Duket me të vërtetë diçka sa e ngatërruar aq edhe absurde, por po të flasim me gjuhën e drejtësisë, një kontratë sado e njëanshme të jetë, në momentin që palët bien dakord për të, ajo merr fuqinë e një ligji të mirëfilltë. Nga ana tjetër ka disa aspekte njerëzore që nganjëherë bëjnë që të injorohet çfarëdo lloj kontrate, edhe për probleme madhore madje, aq më pak për një rast si ky i cili mund të zgjidhej në një mirëkuptim të plotë, me koshencë se këtu bëhet fjalë për dy të rinj të cilët kanë sakrifikuar gjithçka nga e kaluara e tyre për një të ardhme ashtu siç ata e kishin ëndërruar. Duhet të kujtojmë se Adela dhe Bjordi janë të vetmit protagonistë të “Big Brother” të cilët nuk iu janë kthyer më  jetëve të tyre të mëparshme pasi pretendonin një tjetër perspektivë. Tani që mundësitë janë, dashamirësia dhe predispozita për t’ju hapur të tjera dyer ekziston, si për të prishur syrin e keq, mbetet një kontratë si pengesë në rrugën e tyre. Shpresojmë që të reflektohet për këtë fakt pasi siç ne kemi mësuar, Adela dhe Bjordi nuk e kanë aspak ndërmend të tuten nga kjo gjë, por ata do të shkojnë përpara dhe më në fund dashamirësit e tyre do t’i rishohin në ekran.

Në Shkodër çifti do të shfaqet si prezantues

Në një koncert recital që këngëtarja e njohur e muzikës popullore Artjola Toska do të zhvillojë në Shkodër në datën 1 dhe 2 dhjetor, prezantues do të jenë Adela me Bjordin. Mesa duket ky është edhe një fillim i rrugës që ata dëshirojnë të ndjekin tani e tutje dhe fati e deshi që provën e parë ta kalojnë në një nga qytetet më të dashura, në Shkodër, në vendin e kulturës. Ka qenë ideja e organizatorëve të këtij koncerti që të ftojnë Bjordin dhe Adelën në prezantim duke parë që publiku shkodran i pëlqen shumë. Tashmë në një nga televizionet private të Shkodrës po jepet spoti i këtij koncerti, ku Bjordi dhe Adela i thonë publikut se mezi po presin që t’i takojnë. Dhe më pas i pret ekrani i madh, aty ku ata do të kenë takimin e tyre të përjavshëm me fansat e tyre që për çudi gjithë këto muaj, nuk i braktisën asnjëherë.

Adela dhe Bjordi refuzojnë spotin për “Big Brother 3”

Në kulmin e kontradiktave për arsye të kontratave dhe kërkesës për ta zbatuar atë duke hequr dorë nga çdo lloj punësimi në ekrane televizioni ku tregohet imazhi i tyre, nga stafi i “Big Brother” i kërkohej Bjordit dhe Adelës që të bëheshin pjesë e spotit, i cili po transmetohet në televizion prej disa ditësh. Aty njoftohej që kanë filluar aplikimet për “Big Brother 3” dhe disa ish-protagonistë flisnin se çfarë kishin fituar nga pjesëmarrja në “Big Brother”. Dikush tregon që realizoi ëndrrat, dikush tjetër si preku ndryshimin, por mungonin ata të dy, të vetmit që mund të dëshmonin se kishin prekur dashurinë, atë të vërtetën, shpirtëroren e cila nuk u bë për show por për ndjenjë. Por në kulmin e këtij konflikti, Adela dhe Bjordi nuk e panë të arsyeshme që t’ia bënin këtë shërbim, mbase të fundit, atij akrani që në një farë mënyre i abandonoi dhe kështu refuzuan ftesën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›