SHBA: Opozita të ndërpresë bojkotin, të shkojë në Kuvend
Zv/asistenti i Parë i Sekretarit të Shtetit, Stuart Jones, është shprehur gjatë takimit me Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se SHBA-të nuk e mbështesin bojkotin e opozitës. “Unë nuk e mbështes, nuk kam simpati për bojkotin. Kur humbet duhet të pranosh humbjen”, u shpreh Jones, sipas njoftimit për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes, pas takimit në Uashington. Ministri Imami dhe Jones diskutuan mbi zgjedhjet që u zhvilluan më 28 qershor në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes u shpreh se zgjedhjet ishin një fitore e madhe e demokracisë shqiptare. “Fiksimi elektronik i çdo vote gjatë numërimit u provua efiçente si procedurë. Qeverisja me bazë të gjerë, që doli prej këtyre zgjedhjeve, është shenjë e pjekurisë politike. Parlamenti është funksional, qeveria e angazhuar dhe koalicioni i përgjegjshëm për qeverisje të mirë dhe për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” u shpreh ministri Imami. Ndërsa Jones u shpreh se opozita duhet të shkojë në Parlament pikërisht për të ndihmuar procesin e integrimit të vendit. “Shqipëria e fitoi NATO-n, por tani diskutohet anëtarësia e saj në BE. Opozita duhet të shkojë në Parlament, pikërisht për të ndihmuar në këtë proces, madje prisnim që duhet të kishte shkuar tashmë”, tha Jones.
Ai më tutje u shpreh edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh. Zoti Jones, duke folur për demilitarizimin u shpreh se ndjehet i lumtur “që ndihmesa e qeverisë amerikane në lidhje me demilitarizimin është dhe duhet përdorur me mençuri dhe përgjegjësi. Ju inkurajojmë fort që të vazhdoni në këtë proces në mënyrë sa më metodike. Shqipëria ka bërë shumë përpara, në procesin e demilitarizimit”, u shpreh ai.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ndodhet në një vizitë disa ditore në SHBA ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura. Ministri Imami do të pritet gjithashtu nga Sekretari i Mbrojtjes, Z.Robert Gates në Pentagon.