E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, Qeveria: Pse ulen pensionet

 

Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së shoqatave të ish ushtarakëve për pensionet e tyre suplementare. Dje në seancë, ku interesi ishte mjaft i madh, pesë shoqatat, “Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë”, shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, “Shoqata e policëve” dhe Avokati i Popullit, kërkuan antikushtetueshmërinë e ligjit për trajtimin e tyre. Nga ana e saj, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, juristja Marsida Xhaferllari kërkoi hedhjen poshtë të kërkesës së shoqatave. Sipas përfaqësueses së qeverisë, ligji respekton të gjitha të drejtat kushtetuese dhe nuk cenon parimin e sigurisë juridike siç u pretendua nga pala kërkuese. Xhaferllari tha dje në seancë se, “formulimi i ri i ligjit tregon për një zgjedhje politike oportuniteti të Kuvendit të Shqipërisë me propozim të Këshillit të Ministrave, për të zgjeruar bazën e përfituesve, por duke reformuar skemën e përfitimeve”. Duke sjellë në vëmendje risitë e ligjit të ri të qeverisë për pensionet e ish ushtarakëve, juristja e Këshillit të Ministrave tha se risia e këtij ligji është zgjerimi i rrethit të subjekteve që përfitojnë prej tij, shtimi i kategorive që iu garantohen me ligj përfitime suplementare, nisur nga natyra e detyrës shtetërore që ata kryejnë. Duke hedhur poshtë pretendimet e kërkuesve, Xhaferllari tha se, shpërblimi i ish ushtarakëve të liruar nuk bëhet mbi bazën e vjetërsisë së tyre në punë, por mbi bazën e së drejtës që ata kanë për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre shtetërore.
Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave argumentoi dje se në ligj nuk është abuzuar me fuqinë prapavepruese, sepse edhe rregulli për rillogaritjen e të drejtave, të njohura në nenin 29 të ligjit, vendos parametrat e koefiçentëve të rritjes dhe të indeksimit të pensionit. Xhaferllari ka hedhur poshtë dhe pretendimin e kërkuesve se ligji i ri cenon të drejtën për mbrojtjen shoqërore në punë. “Ligji ruan të drejtën për mbrojtje shoqërore në punë. Përfitimet suplementare garantohen për shkak të punës/detyrës shtetërore të kryer. Në rastin kur puna/detyra shtetërore ndërpritet për shkaqe subjektive me faj të individit (shkelje të ligjit), atëherë nuk ka vend për përfitime suplementare mbi këtë punë të humbur për këtë shkak”, u shpreh juristja e Këshillit të Ministrave.
Shoqatat
Të gjitha kërkesat e tyre, Gjykata Kushtetuese i përmblodhi në një çështje, për shkak të objektit të përbashkët që kishin. Që në nisje të seancës, përfaqësuesi i ish policëve, avokati Thimio Kondi, u shpreh se ligji jo vetëm në përmbajtje por dhe në formë është antikushtetues. “Ligji nuk është diskutuar në grupet e interesit, nuk është diskutuar në komisionin e sigurisë, NATO-s, por vetëm në komisionin e ekonomisë, është diskutuar pa prezencën e opozitës”, u shpreh Kondi. Ai paraqiti dokumente të fotokopjuara nga Kuvendi, ku tregohej se projektligji është kaluar për miratim pa u përfshirë në kalendarin tre javor të Kuvendit. Pala kërkuese mbështeti antikushtetutshmërinë e ligjit bazuar në dy parime; parimin e sigurisë juridike, sipas të cilit të drejtat e fituara më parë me ligj nuk mund të kufizohen me ligjet pasardhëse. Një tjetër parim që cenohet në ligjin e ri të qeverisë për pensionet e ish ushtarakëve, është dhe parimi i mbrojtjes shoqërore të punës, sipas të cilit përfitimi i pensionit realizohet si rezultat i kontributit të ushtarakut në detyrën shtetërore. Sipas kërkuesve, ligji i ri ul në mënyrë të ndjeshme masën e përfitimit për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe ato suplementare, si dhe përfitimet sipas gradave e sipas kontributit të secilit punonjës policie. Sipas tyre, ligji mohon disa të drejta të fituara me anë të ligjeve të miratuara vite më parë, duke shënuar kështu regres dhe duke shkelur parimin e sigurisë juridike. Një pikë tepër e kundërshtuar nga ish-ushtarakët ka të bëjë me faktin se sipas ligjit të ri, nëse përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk kanë lidhje me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit që ai përfiton për vjetërsi shërbimi ulet në nivelin e një pensioni bazë.
Gjykata pritet të marrë vendimin e saj për këtë kërkesë, në një afat të papërcaktuar në Kushtetutë, ndërkohë që kërkesa për pezullimin e zbatimit të ligjit është rrëzuar nga Gjykata.

Pretendimet e qeverisë

Formulimi i ri i ligjit tregon për një zgjedhje politike oportuniteti të Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të Këshillit të Ministrave, për të zgjeruar bazën e përfituesve, por duke reformuar skemën e përfitimeve.

Risia e këtij ligji është zgjerimi i rrethit të subjekteve që përfitojnë prej tij, shtimi i kategorive që iu garantohen me ligj përfitime suplementare, nisur nga natyra e detyrës shtetërore që ata kryejnë

Ndryshimi i masës së përfitimit, por duke mos u shoqëruar me mohim të së drejtës për përfitime suplementare, e shoqëruar me shtim të subjekteve që e përfitojnë këtë të drejtë, bën që ligji nr. 10142/2009 të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos cenojë parimin e sigurisë juridike

Qeveria mbrohet duke shprehur se ligji nuk ngre probleme antikushtetuese sepse kënaqen kushtet e ekzistencës së një interesi publik, apo dhe të kërkesave të shtetit social

Duke iu përgjigjur pretendimit të cenimit të sigurisë juridike, apo të të drejtave të fituara më parë nga ligjet e mëparshme, qeveria argumenton se të drejtat e fituara mund të kufizohen si përjashtim, por kufizime të tilla bëhen duke respektuar parimin e përpjestimit në lidhje të ngushtë me parimin e drejtësisë, e paanshmërisë dhe të mirëfunksionimit të shtetit

Ligji në fakt bën diferencim vetëm në masën e përfitimit, duke parashikuar që përfitimet që jepen nga ky ligj, llogariten në bazë të pagës referuese dhe jo të viteve të kontributeve. Ky parashikim bën që të mos shkelet parimi i barazisë përpara ligjit, por të respektohen të gjitha elementët përbërës të tij.

Fakti që ligji nr. 10142/2009 i njeh të drejtën për përfitime suplementare të gjithë punonjësve në një sektor të caktuar shtetëror, pavarësisht gradës apo funksionit të tyre, nuk bën që ligji të jetë në kundërshtim me parimin e barazisë, por e bën atë të jetë në përputhje të plotë me këtë parim.

Ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave ligjvënëse të Kuvendit të propozuara nga Këshilli i Ministrave.

Në ligj nuk është abuzuar me fuqinë prapavepruese, sepse edhe rregulli për rillogaritjen e të drejtave, të njohura në nenin 29 të ligjit, vendos parametrat e koefiçentëve të rritjes dhe të indeksimit të pensionit.

Ligji ruan të drejtën për mbrojtje shoqërore në punë. Përfitimet suplementare garantohen për shkak të punës/detyrës shtetërore të kryer. Në rastin kur puna/detyra shtetërore ndërpritet për shkaqe subjektive me faj të individit (shkelje të ligjit), atëherë nuk ka vend për përfitime suplementare mbi këtë punë të humbur për këtë shkak.

Pretendimet e ish ushtarakëve

Ligji i ri ul në mënyrë të ndjeshme masën e përfitimit për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe ato suplementare, si dhe përfitimet sipas gradave e sipas kontributit të secilit punonjës policie. 

Dispozitat e ligjit nr. 10142/2009, cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike:

Cenojnë apo kufizojnë të drejtat subjektive të fituara me ligje të miratuara më parë

U japin fuqi prapavepruese dispozitave të reja më pak të favorshme, që kanë hyrë në fuqi rregullisht, që janë në pajtim me parimet dhe normat kushtetuese;

Shkelin apo kufizojnë të drejtat e fituara me vendime gjyqësore;

Dispozitat e ligjit shkelin edhe parimin kushtetues të barazisë para ligjit dhe atë të mbrojtjes shoqërore në punë të garantuar nga nenet 18/1 dhe 49/2 të Kushtetutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›