Ndoka e Shehi protestë para Prokurorisë: Të hetohen zgjedhjet
Partia Demokristiane dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar protestuan dje para Prokurorisë së Përgjithshme, ku e akuzuan këtë institucion se po hesht ndaj hetimit të zgjedhjeve. Sipas krerëve të dy partive, të cilat ishin së bashku në koalicionin “Poli i Lirisë” në zgjedhjet e 28 qershorit, Prokuroria duhet të verifikojë të gjitha faktet e manipulimeve të paraqitura. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i kërkoi organit të akuzës të mos zvarrisë hetimin dhe të mos ndikohet nga veprimet e maxhorancës për zbardhjen e së vërtetës. “Ne kërkojmë vullnetin e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme që të mos heshtë, të mos i zvarrisë procedurat dhe të mos veprojë në ndikimin e kësaj maxhorance edhe për faktin që kjo nuk është maxhorancë me vota popullore, është një minorancë, dhe të vetmen mënyrë që ka është që përpiqet që ato hajdutë të votave që sollën në pushtet t’i mbrojë me çdo kusht”, tha Ndoka. Ndërkohë, sipas kryetarit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi provat e paraqitura si për qarkun e Shkodrës, ashtu edhe për qarkun e Tiranës janë flagrante. “Dokumentet janë flagrante fare, vjedhja është ashiqare, është e dukshme e numërueshme dhe nuk ka nevojë për hetime të gjata. Për zonën e Shkodrës, por e njëjta gjë ndodh edhe në Tiranë. Niveli i vjedhjes është i tillë që s’mund të mbulohet”, tha Shehi. PDK e LZHK kanë mbështetur protestat e opozitës për hetimin e zgjedhjeve, por asnjëherë nuk janë bërë pjesë e tyre. Ndërkohë kryesia e PDK-së, e mbledhur dje paradite, vendosi të mbështesë sërish iniciativën e opozitës si të vetmen zgjidhje për krizën politike, që ka përfshirë vendin.