Në majë të Murit
Elsa Ballauri
Jemi diku në majë të murit që e kemi ngritur me forcat tona prej shumë e shumë dekadash. Rrimë atje me frikën se mos biem, me frikën si të ngjitemi dhe njëkohësisht e ruajmë murin se mos rrëzohet… Ndofta ky është një meditim i tepruar në këto ditë të tejmbushura me aktivitete dhe ceremoni për 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. S’kam asnjë qëllim të përsëris rëndësinë e madhe , kujtimet mallëngjyese, dramat rrënqethëse: kush i ka përjetuar ato muaj, ka pasur shansin e krijimit brenda vetes të një margaritari, por kush nuk i ka shfrytëzuar ato, ka mbartur mjerimin e harresës, që është një boomerang i rrezikshëm……
Jam në një tjetër kohë, 20 vjet më vonë…jam në një tjetër kryeqytet…
Sapo kthehem nga një vizitë e thjeshtë në një oborr të një ndërtese të bukur në Tiranë, që ka vite që njihet si selia e Ish të Përndjekurve Politikë të regjimit komunist dhe emocionet e fshehura në subkoshiencë, papritur gjallërohen. Sapo kam takuar 7 burra të ngujuar në një grevë urie.
Kujtoj ngjarje të shumta me histori burgjesh të diktaturës, rrëfime monstruoze torturash, që iu bëheshin armiqve të popullit, tregime sfilitëse për sakrifica të bëra dhe të varrosura.
Ishin ato ngjarje që i merrnim vesh fshehurazi në vitet e diktaturës, i diskutonim, i përtypnim dhe i ripërtypnim e përpiqeshim t’iu gjenim moralin (sipas pozicionit tonë ideologjik), që na krijonin në imagjinatë heronjtë e burgosur dhe historitë e tyre antikomuniste. Kur burgjet u hapën, enigma filloi të sqarohet, në fillim me ritme të shpejta, të gjithë u interesuan për atë që kishte ndodhur pas perdeve të errëta, më vonë shkujdesja ishte e madhe nga të gjitha palët, filluan tek-tuk të harroheshin edhe vetë heronjtë dhe enigma ngriu në mosshfaqjen e saj: një rrugë mjegullore e gjatë që nuk e përmbyste dot shoferin nga makina, por edhe që i humbte atij drejtimin e destinacionit…
Pas 19 vjetësh, do të desha që këto histori të tregoheshin tashmë si ca kujtime shërimtare, por sapo kam takuar 7 burra, të gjithë ish të përndjekur politikë, të gjithë ish banorë të burgjeve dhe kampeve famëkëqija të Hoxhës. Kostantin Gjordeni, ende e ka në shpatull plumbin e revoltës famëkëqe të Qafë Barrit, ndërsa Lirak Bejko e ka të pariparueshëm për jetë dëmtimin e veshit të djathtë, që i ka shkurtuar dëgjimin gjatë torturave në hetuesi. Të tjerët, Xhaferr Agaraj, Petrit Shpuza, Fatmir Lamaj, Gjergj Ndreca e Liço Çalaj, i mbushin sytë me lot kur janë të detyruar të rikujtojnë ngjarjet e Spaçit e kampeve të tjera të dënimit…. Mendoja se këto histori tashmë duhet të ishim duke i mbledhur për t’i ua rrëfyer të vegjëlve e për t’iu thënë se si ishte Shqipëria e parademokracisë, por në fakt, këto histori duhet të rithuhen me zë të lartë këto ditë, që t’i bëjnë qeveritarët të dëgjojnë dhe të përgjigjen.
7 burrat janë futur në grevë urie që prej 17 ditësh, ata kërkojnë përgjigje për disa pyetje në lidhje me Ligjin mbi Dëmshpërblimin e kësaj shtrese, të përfunduar dy vjet më parë dhe që sipas tyre, nuk ka marrë pëlqimin e të gjithë shtresës së të përndjekurve për t’u zbatuar.
Fenomeni i ish të përndjekurve në Shqipëri është ende një gjysmë enigmë: është si ato gjërat që janë nisur dhe nuk mund të përfundojnë kurrë. Kur këto lloj fenomenesh ndodhin në peizazhin social, atëherë janë vetë njerëzit që nuk e zgjidhin dot, ose që nuk duan ta zgjidhin atë.
E gjithë Lindja socialiste, u rrek të vinte në vend fajet e së kaluarës. Shqipëria nuk e bëri dot lustracionin, as me ligj, por për fat të keq, as pa ligj. Në vendin e ish Murit komunist, qytetarët duhet të jenë krenarë që kanë vënë në vend drejtësinë e munguar dhe që sot e bëjnë të gjithë botën ta festojë këtë gjë. Në Shqipëri, ku padrejtësia ishte në shkallën e vet më të përsosur, pas një seri farsash të gjata për dhimbjen ndaj njerëzve që vuajtën ferrin e komunizmit, kishim një seri farsash të reja për “të bërë sikur” me shtresën e atyre që dolën nga ky ferr, të munduar, të pashkollë, të sëmurë, por me shpresë.
Dhe enigmën e historisë sonë të diktaturës ende nuk dimë se si ta emërtojmë: një proces të përfunduar, gjysmak, fals?
Ka vite që kjo po ndodh. Dikush që nuk merret me këto punë, mendon se gjërat janë zgjidhur, heronjtë e munduar të burgjeve të diktaturës i kanë fituar me kohë të drejtat e tyre dhe secili fle i qetë në shtëpinë e vet, të tjerë dëgjuan se janë krijuar shumë shoqata që përfaqësojnë ish të përndjekur, në mos të tëra, disa prej tyre, të paktën po punojnë fort që t’iu ndihin njerëzve të tyre në nevojë, e të tjerë që kanë ndjekur fatin e ish të përndjekurve, kanë kuptuar se ata ende vazhdojnë të (vetë) përndiqen që prej 91.
Greva e urisë është shpallur 17 ditë më parë nga këta 7 burra të vuajtur. Edhe nëse ata janë nxituar për të marrë një iniciativë të tillë, e kanë bërë nga e keqja se nuk gjetën asnjë përgjigje për pyetjet e tyre. Kërkesa e tyre se ligji i dëmshpërblimit nuk ka gjetur miratimin e të gjithë shtresës dhe propozimet që ata kanë mbi këtë ligj, i ve nën një përgjegjësi të madhe edhe vetë shoqatat e ish të përndjekurve, që për fat të keq janë më të shumta në numër se ç’duhet të jenë dhe si të tilla kanë dalë jashtë fokusit të misionit të tyre bazë: ndihma e veçantë që duhet t’ju jepet TË GJITHË atyre që e vuajtën regjimin komunist jo si të tjerët.
Duke mos gjetur një mbështetje tek organizatat e krijuara prej vetë ish të përndjekurve, grevistët i janë drejtuar drejtpërdrejt shtetit shqiptar, Presidencës, Parlamentit, institucioneve, dhe kërkojnë të dëgjohen prej tyre.
Shpallja e shpejtë e grevës, vendi krejtësisht i pafavorshëm i ngujimit (duke mos u pranuar në ambjentet e institutit të ish-të përndjekurve, ata janë vendosur në oborrin e godinës, në qiell të hapur), janë më shumë se një grevë e zakonshme, ajo është një sfidë që duhet përfillur me shumë seriozitet nga shteti shqiptar dhe nga qeveria.
Është në nderin e një qeverie të jetë humane dhe e kujdesshme për qytetarët e saj. Nëse kjo nuk ndodh, ajo humbet shanset të jetë e besueshme nga shtetasit.
Se si përfillet vuajtja dhe sakrifica njerëzore dhe sa të ndjeshëm qytetarisht jemi ndaj kësaj, duket edhe në indiferencën e mediave. Me përjashtime shumë të vogla, nuk ka pasur për më shumë se dy javë asnjë interes të vërtetë. Po kështu ndodh edhe me atë pseudo shtresë të intelektualëve shqiptarë, që janë të gatshëm të diskutojnë edhe mbi pelikanin kaçurrel, por jo për një ngjarje njerëzore të këtij lloji.
Të gjitha këto, midis të tjerave, janë pasojë e asaj që nuk mundëm dot kurrë ta kemi e s’po e krijojmë dot: shtresën e vërtetë të intelektualëve qytetarë e të pavarur, që mund të shprehen dhe të veprojnë sinqerisht.
Prandaj, të gjithë ne, për fat të keq, sëbashku me këta shtatë burra, ndodhemi akoma në majë të murit dhe s’dihet se kur do të zbresim që andej…