Berisha: Hetim zgjedhjeve,por jo mbi vendime gjykatash
BLEDAR HOTI
Kryeministri i Sali Berisha fton kreun e PS-së që të zërë karriget e deputetëve të opozitës në Kuvend dhe të bëhet bashkautor i procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit në BE, pasi asgjë nuk do të pengojë këtë proces. Lideri i maxhorancës në diskutimin e tij prej rreth një ore nga Kuvendi i bëri thirrje Edi Ramës që të ndërpresë bojkotin, duke iu bashkuar procesit të reformave për liberalizmin e vizave dhe anëtarësimin në BE. “Nuk ka diskutim se zoti Rama, mungesa e deputetëve tuaj përbën një lëndim për Parlamentin, por të jesh i sigurt se me këtë bojkot që bën nuk do të mund të pengosh as edhe një proces të vetëm të integrimit të këtij vendi në BE dhe as heqjes së vizave. Në moralin e demokracisë evropiane kurrë nuk viktimizohet një popull, sepse do një individ”, deklaroi Berisha. Lideri i maxhorancës tha se në këtë parlament tre muaj Rama u ra bilbilave dhe borive, vetëm e vetëm të mos firmosej MSA-ja. “Dhe si përgjigje mori një dush të ftohtë, një deklaratë që do të mbetet në arkivat e këtij vendi. U tha se situata atje nuk përbën problem për nënshkrimin e MSA. Në këtë mënyrë, jo pse Evropa nuk ndjente keqardhje për bilbilat e një Parlamenti të një vendi që do të firmoste, por sepse e kuptoi se ajo ishte një politikë personale, që do të superonte interesat kombëtare të një vendi që donte ta penalizonte atë. E njëjta gjë do të ndodhë me vizat dhe me të gjitha proceset e tjera. Hajde bëju bashkautor, sepse ku është interesi jetik i të gjithë zgjedhësve shqiptarë, i atyre që të duan ty dhe që të duan mua, i atyre që s’na duan as mua e as ty, por duan të shohin ëndrrën e tyre realitet integrimin e Shqipërisë në BE. “Unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush. Së bashku do ndërmarrim çdo reformë, do paguajmë çdo çmim, do marrim çdo vendim, në mënyrë që të plotësojmë të gjitha kriteret”, theksoi Berisha. Kryeministri është shprehur i hapur për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. “Të mendosh se në 20 vjetorin e rrëzimit të murit të Berlinit se nuk je i përgatitur të pranosh rregullat e lojës. Të mendosh se nuk je i përgatitur të pranosh institucionet legjitime të këtij vendi është jashtëzakonisht e rëndë. Por unë prapë e ftoj: urdhëro zotëri ja ku janë karriget tuaja! Urdhëro në Parlament të krijojmë komision hetimor parlamentar. Ka një listë rekomandimesh nga OSBE dhe ODIHR, urdhëro, përgatit amendamentet si i do ti. Mos kërko kurrë që bëjmë gjykatësit se atë s’do ta bëjmë ndonjëherë kurrë. Dhe siç do më thoshte një mik i huaj, i çmuar dhe i shquar një muaj më parë se kjo nuk pranohet me asnjë çmim. Prandaj unë uroj që të dalësh nga spirali që e ke futur PS-në. Të gjitha këto procese janë jetike për zgjedhësit socialistë, demokratë, LSI-së, për fëmijët shqiptarë. Nuk mund ta vetëpërjashtosh forcën politike nga këto procese. Nuk ndërtohet opozita në këtë mënyrë”, deklaroi Berisha. Ndërsa kontestoi mënyrën e bërjes opozitë, ku në krye të protestave është shfaqur dhe Spartak Ngjela me premtime që nuk qëndrojnë. “Me Spartak Ngjelën, zoti Rama të dyve ju kam pasur unë juve në ombrellën time. Keni ikur vetë është zgjidhja e juaj, absolutisht s’kam xhelozinë më të vogël. Kategorikisht, jam i vetëdijshëm se keni ndarë gjëra intime me njëri-tjetrin, por politika nuk është intimitet, s’është privatizim, është publike dhe nuk mund të jetë kurrë e atillë”, tha Berisha.