Ademi: Kontesti i emrit nuk është vetëm çështje e Gruevskit
Kontesti i emrit me Greqinë nuk është vetëm çështje e Nikolla Gruevskit, por i të gjitha subjekteve politike dhe qytetarëve. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi, duke u shprehur optimist për zgjidhjen e kësaj çështje deri më 7 dhjetor. Zërat për radikalizimin e shqiptarëve nëse vendi nuk merr një datë për bisedime, Ademi i cilësoi si shpërqendrim të vëmendjes së opinionit. "Supozimet sipas së cilave shqiptarët pas shtatë dhjetorit do të mund të radikalizohen ose do të ndërmarrin hapa më radikale, mendoj se janë teza për të larguar vemendjen e opinionit dhe për të bartur përgjegjësinë tek shqiptarët. Shqiptarët mund të kenë pjesën e tyre të përgjegjësisë, por nuk mund të mbajnë përgjegjësi për gjithë vendin", tha Ademi. Ndërsa, kryetari i PRSD-së, Tito Petkovski thotë se vet Qeveria është fajtore për përfshirjen e identitetit dhe gjuhës si tema në këto bisedime. "Maqedonia pa asnjë mandat e përfshiu çështjen e identitetit dhe gjuhës në bisedime dhe këtë gjë, askush prej nesh nuk e kishte kërkuar. Deri në vitin 2006, gjuhën dhe identitetin askush nuk e përmendte si fakt për tu vendosur ne tryezën e bisedimeve, ndaj mendoj se ne si shtet i papërgjegjshëm dhe me procesin e antikitetit, vetë e vumë në pikëpyetje identitetin tonë", akuzon Petkovski.
Me iniciativë të Bashkimit Europian është planifikuar që Gruevski dhe Papandreu deri në samitin e 7 dhjetorit, të firmosin marrëveshje vetëm për emrin, me të cilën do të evitohej mundësia për bllokimin e datës, për fillimin e negociatave. Më pas do të bisedohej rreth formës së përdorimit të emrit dhe çështjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin.