Ademi: Shumë breza nuk ju gëzuan përdorimit të gjuhës shqipe
Shkup - Gjuha shqipe ka ardhur në këtë pikë që është pas shumë mundimesh dhe sakrificash të shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri maqedonas, Abdulaqim Ademi, i cili mori pjesë në promovimin e doracakut “Komunat Flasin Shqip” nga shoqata Qendra Mediale për Multikulturë “Toleranca”-Shkup. Sipas numrit dy të ekzekutivit maqedonas, janë dashur shumë punë dhe të kalojnë shumë vite që gjuha shqipe të hapë rrugët dhe në Maqedoni të bëhet gjuhë, të cilën do ta flasin edhe institucionet shtetërore dhe publike. “Shumë gjenerata në këto troje u rritën, u plakën dhe braktisën këtë botë me ëndrrën që institucioneve shtetërore t’u drejtohen edhe në gjuhën e tyre amtare shqipe”, tha Ademi.