E Shtunë, 31 Tetor 2026

BDI: Nuk duam spiun për president

Shkup - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk do të mbështesë asnjë kandidat për president të shtetit nëse i njëjti më parë ka qenë bashkëpunëtorë i shërbimeve sekrete. Nga kjo parti thonë se e njëjta gjë do të vlejë edhe për kandidatët për kryetarë të komunave.

“Ne s’duam që njerëzit të cilët kanë punuar për shërbimet sekrete të kandidohen për president. Një gjë e tillë s’duam të ndodhë edhe me kryetarët e komunave”, deklaroi nënkryetari i BDI-së Rafiz Haliti.

Sipas tij, të gjithë ish bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete duhet të përfshihen me Ligjin për lustrim dhe asnjëri prej tyre të mos mbajë post publik në të ardhmen.
Kohëve të fundit si kandidat i mundshëm për president të shtetit është duke u përmendur ish ministri i Punëve të Jashtme Sërgjan Kerim, pas të cilit do të qëndrojë VMRO-DPMNE-ja. Shansin për të fituar këtë post sipas të gjitha gjasave do ta kërkojë edhe ish ministri i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski.

Por, ka zëra se Kerim mund të bie nga loja dhe për kreun e shtetit VMRO-DPMNE-ja të dalë me kandidat tjetër. Deri më tani asnjëra prej partive më të mëdha politike si nga blloku maqedonas dhe ai shqiptar zyrtarisht nuk kanë caktuar se me cilin kandidat do të garojnë në zgjedhjet presidenciale.

Ndryshe, në fillim të vitit 2008 Parlamenti e miratoi Ligjin për lustrim. Propozuesi i këtij ligji Stojan Andov tha se kjo duhet të kuptohet jo si shans për t’u kthyer në të kaluarën dhe ndarje, por që shteti të shkojë përpara.

Me këtë ligj duhet të përfshihen informatorët e policisë sekrete, jo ata që kanë punuar në interes të shtetit por ato që i kanë spiunuar njerëzit me mendim të ndryshëm ideologjik. Me këtë ligj përfshihen edhe urdhërdhënësit si dhe shfrytëzuesit e informacioneve nga sfera politike. Ky ligj përfshin periudhën prej vitit 1994 deri në fund të vitit 2001. Maqedonia është ndër vendet e fundit postkomuniste e cila ende nuk e ka pastruar të kaluarën e saj. Lajm/Start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›