“Administrata 75 milionë usd abuzim”
Fabiola Çela
Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë kaluar në sitën e tyre të gjithë punën e bërë nga administrata shtetërore. Pas kontrollit ekspertët kanë konstatuar një sërë abuzimesh, çka i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 6.9 miliardë lekësh, ose 75 milionë dollarë. Tatim-taksat mbetet gropa e zezë e buxhetit të shtetit, ku dëmi arrin vlerën e 2.3 miliardë lekëve. Por dëme të mëdha janë shkaktuar edhe nga shitja dhe dhënia me qira e pasurisë shtetërore.
Raporti
Për 9-mujorin e vitit 2009, Kontrolli i Lartë i Shtetit nga 112 kontrolle të planifikuar për evadim, në fakt ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 185 kontrolle. Nga këto 125 janë të përfunduar e të evaduar. Nga kontrollet e ushtruar gjatë kësaj periudhe janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale rreth 6.9 miliardë lekë.
Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2007-2008 dhe 6-mujorit të parë të vitit 2009, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit.
Dëmet
Dëme të mëdha buxhetit të shtetit i janë shkaktuar nga dhënia, shitja dhe dhënia me qira e pasurisë shtetërore, ku vlera e dëmit arrin rreth 3.1 miliardë lekë. Ndërsa në degën e tatim-taksave dëmi arrin në 2.3 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e dëmit ka ardhur si pasojë e detyrimeve tatimore dhe penaliteteve për tatimfitim dhe për TVSH-në, si dhe mosaplikim të gjobave për mosdorëzimin në afat të bilancit financiar. Ndërsa në fushën e prokurimeve vlera e dëmit arrin në 331.7 milionë lekë, pjesa më e madhe e dëmit është shkaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ku vlera e këtij dëmi arrin në 85 milionë lekë. Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe nga doganat. Sipas raportit të KLSH-së, vlera e dëmit në dogana arrin shifrën prej 299.4 milionë lekë. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në degët e Doganave, Elbasan, Sarandë dhe Kakavijë dëmi arrin në vlerat respektive 8.2 milionë lekë, 5.3 milionë lekë dhe 276.6 milionë lekë. Ky dëm ka ardhur si detyrime doganore të papaguara nga moszbatimi i procedurave në zhdoganim dhe nga zhdoganimet e autoveturave, si dhe penalitete të pavendosura ndaj subjekteve për diferenca në peshë dhe për mosplotësim të saktë të deklaratës doganore e të dokumentacionit të mbylljes së regjimeve të subjekteve, që operojnë me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv. Por shkelje të ligjit janë konstatuar edhe në degët e doganave Kapshticë e Korçë, në vlerat respektive 6.3 milionë lekë dhe 2.9 milionë lekë, si detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve. Ekspertët e KLSH-së kanë zbuluar se gjatë këtij harku kohor janë dhënë edhe shpërblime në mënyrë të pamerituar, çka i kanë shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej 227.7 milionë lekë. Por shkeljet nuk përfundojnë me kaq. Sipas KLSH-së, shkelje ka patur edhe në fushën e sistemit të pagave, ku vlera e dëmit arrin në 22.8 milionë lekë. Pjesa më e madhe e dëmit është shkaktuar si pasojë e pagesave të dhëna jashtë kohës normale të punës, të pajustifikuara dhe të paargumentuara me dokumentacionin e nevojshëm, si dhe llogaritje e gabuar e kontributit të sigurimeve shoqërore.
Masat
Gjatë 9-mujorit të këtij viti, nga ana e KLSH-së janë bërë 6 kallëzime penale, e konkretisht për Agjencinë Rajonale të Shërbimit Tatimor, Durrës; Agjencinë Rajonale të Shërbimit Tatimor, Fier; Agjencinë Rajonale të Shërbimit Tatimor, Korçë; komunën Rrashbull, Durrës; komunën Luz i Vogël, Kavajë; Drejtorinë e Shërbimit Pyjor, Lezhë. Sipas KLSH–së, të 6 kallëzimet penale janë në hetim.
Shkeljet financiare
3.182.610.000 lekë në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore.
2.339.948.000 lekë vlera e dëmit në tatim-taksa
331.748.000 lekë dëmi në fushën e prokurimeve
299.494.000 lekë dëmi i konstatuar në dogana
227.783.000 lekë dëme në fushën e shpërblimeve
22.823.000 lekë dëmi i konstatuar në fushën e sistemit të pagave
22.655.000 lekë në fushën e shpenzimeve operative
560.611.000 lekë dëmi në zërin “të tjera”, shkelje të disiplinës financiare