E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në 2010 rritje pagash e pensionesh

 

Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje në mbledhjen e qeverisë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, i cili kap shifrat e 4.5 miliard USD. Sipas kreut të ekzekutivit, përparësi gjatë vitit të ardhshëm do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve. “Kjo rritje është rezultat i rritjes së parashikuar të të ardhurave me rreth 12 për qind dhe bëhet e mundur pikërisht për shkak të saj. Përparësi në këtë rritje do të kenë sërish pagat e ulëta dhe të mesme. Niveli i pagave të larta do të ketë një rritje modeste, pa inflacionin prej 2 për qind, me inflacionin prej 4 për qind”, tha Berisha. Sipas tij, rritje të ndjeshme do të kenë pagat e mesme, pagat e mësuesve, si dhe ato të infermierëve, mjekëve, policëve, ushtrisë dhe administratës. “Rritje të ndjeshme, në përputhje me platformën elektorale, do të kenë pensionet. Ne jemi të vendosur të ecim drejt qëllimit tonë të barazimit të pensioneve fshat-qytet. Ndaj edhe kjo rritje do të jetë më e madhe për pensionet e fshatit, sepse pensionet e fshatit janë më të ulëtat në vend dhe pavarësisht se ato u dyfishuan, sërish mbeten në nivele që duhen rritur më tej. Rritje do të kenë pensionet e ulëta. Pra, angazhohen shuma të mëdha në rritjen e pagave dhe pensioneve”, u shpreh Berisha. Duke u ndalur në investimet në infrastrukturë, kreu i qeverisë premtoi përfundimin e rrugës së Arbrit deri në fund gjysmën e parë të vitit 2012, si dhe segmentet Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Berat. Por duke u ndalur në dixhitalizimin e shërbimeve, kreu i qeverisë tha se “duke filluar nga dhjetori që vjen në të gjitha nivelet e administratës shqiptare do të fillojnë kurset e IT-së. Në këtë administratë, nuk mund të ketë punonjës që nuk përdor dot kompjuterin”.

Të dhënat e buxhetit

Buxheti për vitin 2010 është:
Të ardhurat         359 669 milionë lekë;
Shpenzimet         409 436 milionë lekë;
Deficiti                         49 767    milionë lekë.

Buxheti vendor për vitin 2010 është:
Të ardhurat               39 574 milionë lekë;
Nga të cilat:
Granti i pakushtëzuar nga buxheti qendror
            18 626     milionë lekë;    
Shpenzimet                    39 574     milionë lekë

Buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2010 është:
l. Skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror.
Të ardhurat, gjithsej    74 597 milionë lekë;
Nga të cilat:
- kontributet        53 557 milionë lekë;   
- transferimet nga Buxheti i Shtetit   
            21 040 milionë lekë;
Shpenzimet        74 597 milionë lekë.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›