“Të zhduket korrupsioni ne shëndetësi”
zirina llambro
“Duhet eliminuar korrupsioni në spitale, por edhe në të gjithë sistemin shëndetësor. Kjo arrihet vetëm me reforma”. Këtë deklaratë bëri dje Kryeministri Sali Berisha gjatë përurimit të godinës së Fakultetit të Infermierisë. Kreu i qeverisë pranoi se në shëndetësi mungojnë shumë shërbime dhe ka mungesa mjekësh të kualifikuar në zonat e thella të vendit. “Kam besim që niveli profesional i mjekëve do ta shndërrojë në përpjekje të madhe të përbashkët reformën shëndetësore, për shërbime më të shpejta dhe më të mira. Janë vetë mjekët ata që duhet të garantojnë qytetarët për nxjerrjen e sistemit nga korrupsioni”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se në vitin 2010 të ardhurat dytësore do t’i lihen spitaleve dhe për personelin mjekësor do të ketë shpërblime suplementare. Reforma në shëndetësi do mbështetet edhe financiarisht dhe kjo do të pasqyrohet edhe në buxhetin e vitit 2010. “Reforma e shëndetësisë është një reformë jo e thjeshtë, është një reformë e vështirë, dhe ndoshta më e vështira, por reforma e shëndetësisë është më jetikja dhe është detyrimi më madhor i çdo qeverie. Vetëm me një reformë të thellë, e cila duhet të përfshijë të gjithë mekanizmin financiar, vendi do të mund të ketë shëndetësinë që duhet, kujdesin shëndetësor që është i detyruar t’ua ofrojë qytetarëve të tij”, tha Kryeministri. Sipas tij, reforma projektohet nga grupe drejtuese, por ajo mbetet në letër në qoftë se nuk ka mendimin, mbështetjen në çdo sektor, në çdo qelizë të këtij sistemi. “Unë kam besim të madh se nivelin e lartë profesional që ju keni në fushat ku punoni, do ta shndërroni këto vite në një përpjekje të madhe të përbashkët për reformën tërësore, për shërbimet shëndetësore më cilësore, më të shpejta më të mira, që duhet t’u garantojmë qytetarëve shqiptarë dhe për nxjerrjen e këtij sistemi tërësisht nga korrupsioni”, nënvizoi kreu i qeverisë. Sakaq ai premtoi një tjetër rritje pagash, në mënyrë që mjekët të trajtohen dhe të shpërblehen për punën jashtëzakonisht të vështirë që kanë. Kryeministri pranoi se aktualisht vendi nuk është në nivelin e duhur të standardeve për mjekët për frymë, në raport me popullatës popullate. “Ne do të rrisim numrin e studentëve në Universitetin e Mjekësisë, sikundër do të shohim dhe mundësinë e licencimit të universiteteve private. Janë krijuar baza të fuqishme spitalore sot në vend, të cilat janë pothuajse të njëjtat me ato që kemi pasur ne dikur, kur kemi studiuar në Fakultetin e Mjekësisë”, tha Berisha.