PS: Berisha s’e lufton dot korrupsionin në shëndetësi
Partia Socialiste akuzoi dje kryeministrin Berisha se ka dështuar me reformën në shëndetësi. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha për prioritet të mandatit të tij sektorin e shëndetësisë, tha se po përsëritet i njëjti premtim si katër vjet më parë. “Sot Kryeministri ka vazhduar me hipokrizinë e tij t’u thotë shqiptarëve se ai është i vendosur për ta kthyer shëndetësinë në prioritet të qeverisjes dhe për të luftuar korrupsionin në spitale. Fatkeqësisht, sot, kur kanë kaluar më shumë se 4 vjet nga marrja e mandatit të parë të dështuar të Sali Berishës, ky i fundit na tregon të njëjtën përrallë si katër vjet më parë”, u shpreh zëdhënësja e selisë rozë. Partia Socialiste duke sjellë situatën në të cilën gjendet sektori i shëndetësisë, akuzoi edhe njëherë kryeministrin për korrupsionin që ekziston në spitale, për shkak, sipas saj, të klientelizmit në këtë sektor. “Sot, 4 vjet më pas, Berisha përsërit të njëjtin premtim, që nuk diti ta mbajë gjatë 4 viteve që lamë pas. Spitalet e vendit janë në gjendje denigruese për çdo pacient, sepse korrupsionin shumëmilionësh e bën vetë Berisha dhe familja e tij. E, kryeministri i ka duart e lidhura pasi i duhet ta nisë luftën kundër korrupsionit nga familja. Berisha e fsheh burimin e këtij korrupsioni, mbesën e Familjes, e cila mbron interesat e klanit familjar në tenderët disa milionëshe dhe lë pas dore interesat e mijëra shqiptarëve, të rinj e të moshuar, që sot nuk arrijnë të gjejnë dot në shërbimin shëndetësor shqiptar ndihmën që kërkojnë”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Socialiste. Shëndetësia ka qenë një nga prioritetet e programit elektoral të Partisë Socialiste në fushatën e 28 qershorit, duke e cilësuar këtë sektor të korruptuar.