E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, arrestohen tre mjekë

 

Aldi Kozarja

Tre mjekë të njohur në Elbasan u arrestuan dje nga policia me akuzën se kanë kryer veprime korruptive me dhënien e kempit të invaliditetit. Ervedin Pudre, 49 vjeç, mjek i përgjithshëm në spitalin e Elbasanit, Adrian Palloshi, 43 vjeç, mjek kirurg dhe shef i repartit të kirurgjisë në spitalin e Elbasanit dhe Astrit Leka, 62 vjeç, mjek kardiolog në spitalin e Librazhdit, kanë rënë në prangat e policisë. Arrestimi është kryer në mënyrë publike në kohën kur tre mjekët ishin duke kryer detyrën në spitalin e Gramshit. Ata bënin pjesë në Komisionin Mjeko-Ligjor për dhënien e pensionit të parakohshëm të invaliditetit, pasi ishin zgjedhur në këtë detyrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria Rajonale e Shëndetit. Tre mjekët e arrestuar njihen në Elbasan për aftësitë e tyre profesionale dhe reputacionin e lartë në ambientin e punës e më gjerë. Ndërhyrja e policisë për arrestimin e tyre është bërë në kohën kur mjekët ndodheshin në zyrat e spitalit të Gramshit, kur më shumë se 15 qytetarë prisnin të kalonin në vizitë. Policia pretendon se arrestimi ndodhi në një nga zyrat e Sigurimeve Shoqërore në Gramsh, ndërsa burime të konfirmuara thonë se mjekët ishin duke kryer vizita për të paktën 15 pacientë në momentin kur policia i vendosi në pranga në prani të dhjetëra qytetarëve.
Enigmat e arrestimit
Njëri nga mjekët e arrestuar, Adrian Palloshi, është një nga specialistët më të mirë në qarkun e Elbasanit. Ai ka një përvojë të gjatë në punë, ndërsa është specializuar për disa vite në Francë. Veç kësaj, ai ka dhënë një kontribut të madh në bashkëpunim me ambasadën franceze në Tiranë në pajisjen e spitalit të Elbasanit me një sërë pajisjesh të nevojshme, që përdoren nga shumica e mjekëve në shërbim të qytetarëve. Policia tha se u ka bllokuar mjekëve dje një shumë prej 65 mijë lekë të reja, të cilat, sipas akuzës, përbëjnë shumën e ryshfetit. Më tej policia pretendon se paratë ishin fotokopjuar më parë, ndërsa lekët që u janë gjetur mjekëve përkojnë në numrat e serive me ato që janë dhënë nga qytetarët. Megjithatë nuk është e qartë nëse mjekët e kishin vënë si kusht shumën në fjalë apo paratë janë paguar nga persona të “infiltruar” apo nga qytetarë që kanë dashur t’i ofrojnë ato me vullnetin e tyre. Sipas policisë, paratë e sekuestruara u janë marrë 9 qytetarëve që po aplikonin për marrjen e pensionit të parakohshëm të invaliditetit. Ndërkohë duket e pamundur që policia të ketë fotokopjuar apo regjistruar para kryerjes së pagesës numrat e serive të kartëmonedhave që mbanin nëntë personat.
Mjekët
Njëri nga mjekët e arrestua dje nga policia. Adrian Palloshi vlerësohet si një nga kirurgët më të spikatur në Elbasan. Ai ka përfunduar specializimin në një nga spitalet më të njohura në Francë. Ai ka kontribuar në pajisjen e spitalit të Elbasanit me pajisjen e Çeleskopisë, e cila sot përdoret nga ana e të gjithë mjekëve kirurgë të spitalit të Elbasanit. Mjeku Adrian Palloshi ka më shumë se dhjetë vite që punon pranë spitalit kirurgjik të Elbasanit, madje ai së fundmi deri në momentin e arrestimit ka qenë shef i shërbimit të kirurgjisë pranë këtij spitali. Adrian Palloshi është një mjek me reputacion në qytetin e Elbasanit. Ai njihet në ambientet publike dhe një ndër mjekët më të respektuar nga të gjitha nivelet në këtë qytet. Mjeku tjetër alergolok Ervedin Pudre është ndër mjekët e rinj në qytetin e Elbasanit. Ai ka rreth tre vite që ka nisur të punojë pranë qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan. Ndërkohë mjeku kardiolog nga Librazhdi, Astrit Leka, është i vetmi mjek zemre në zonën e Librazhdit. Të tre mjekët janë zgjedhur për të kryer detyrën e anëtarëve të Komisionit të Dhënies së Pensionit të Parakohshëm nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë.

ELBASAN/ Sot zëvendësimi i Palloshit
Tronditet spitali, drejtori:Mjekët specialistë të mirë

ELBASAN – Arrestimi i tre kolegëve në krye të detyrës në Gramsh është mësuar shpejt nga mjekët e qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli”. Për ta ishte tronditje si kishte mundur të ndodhte prangosja e Adrian Palloshit, kirurgut më të njohur në Elbasan, alergologut Ervedin Pudre e kardiologut të Librazhdit, Astrit Leka. Të tre mjekët janë të spikatur në profesionin e tyre ndaj dhe arrestimi i papritur, si specialistë dhe si pjesë e komisionit të invaliditetit në Gramsh, pritet të sjellë pasoja direkt te qytetarët. I kontaktuar mbrëmjen e djeshme, drejtori i kësaj qendre, Arben Paralloi, pohoi se arrestimi i dy mjekëve të spitalit të Elbasanit është një goditje e madhe për mjekësinë në Elbasan. Gjithsesi mjeku Paralloi nuk ka dashur të komentojë në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tyre, teksa ka pohuar se dy mjekët janë ndër më të mirët që ka qendra spitalore “Xhaferr Kongoli”. Drejtori Paralloi theksoi faktin se mjeku Palloshi nuk është vetëm një kirurg i spikatur dhe profesionist, por është dhe një ndër njerëzit që ka krijuar ura bashkëpunimi me shumë spitale në Europë, kryesisht në Francë, duke bërë të mundur sjelljen e mjaft aparaturave që sot i shërbejnë spitalit të Elbasanit. Ndërsa përsa i përket mjekut Pudre, Paralloi është shprehur se ai është një ndër mjekët e rinj të qendrës spitalore dhe falë punës me cilësi dhe profesionalizëm ka ditur të përshtatet mjaft mirë në grupin e mjekëve që punojnë në këtë qendër. Pas arrestimit të mjekëve, Paralloi u shpreh se në lidhje me zëvendësimin e shefit të Kirurgjisë, Palloshi pritet që drejtoria e spitalit të komandojë një mjek tjetër kirurg.         a.k

Gjykata rrëzon rastet e arrestimeve nga policia
Të gjithë mjekët e arrestuar në liri

TIRANE – Policia shqiptare është vënë vitet e fundit në luftë me fenomenin e korrupsionit në spitale dhe në sistemin shëndetësor, mirëpo kjo “luftë” duket se ka edhe anën tjetër të medaljes. Një sërë veprimesh të policisë me arrestime mjekësh, janë rrëzuar në gjykatë si të paligjshme apo si të panevojshme. Konkretisht asnjë nga mjekët e arrestuar nga policia gjatë 2-3 viteve të fundit nuk është sot në qeli. I pari që ra në pranga ishte Kastriot Dautaj. Ai u la i lirë nga gjykata pak kohë pas arrestimit, pasi ishte në moshë të thyer dhe nuk paraqiste rrezikshmëri. E njëjta gjë ndodhi me mjekët që u arrestuan më pas. Ardian Nelaj dhe Agim Karaj u lanë të lirë nga gjykatat, pasi u konsiderua se ndaj tyre nuk ishte e nevojshme të veprohej me masa arresti në qeli. Ndërkohë që gjykatat kanë ndryshuar masat e sigurisë në të gjitha rastet, asnjëri prej mjekëve nuk është shpallur fajtor, pasi ende nuk janë dhënë vendime të formës së prerë. Edhe në rastin e mjekëve të arrestuar së fundi në Maternitetin e Tiranës, jo më larg se dy ditë më parë gjykata dha “masën detyrim paraqitje”, duke hequr masën e arrestit. Në pjesën dërrmuese të rasteve mjekët kanë akuzuar se arrestimet kanë qenë një kurth ndaj tyre, pasi persona të caktuar edhe nën ndikimin e policisë kanë këmbëngulur të ofrojnë para për shërbimin mjekësor.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›