E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nagip Berisha, ekspozitë në Berat

Pikturat Piktori kosovar prezanton 40 vepra

Galeria e arteve “Eduard Lear” në qytetin e Beratit ka hapur dyert për ekspozitën e saj të radhës. Veprat e një piktori të njohur kosovar, Nagip Berishës, janë prezantuar mbrëmjen e 2 korrikut për të gjithë të pasionuarit e pikturës në këtë qytet. Berisha është prezantuar me 40 vepra të realizuara në vitet 2005-2010 në teknikën e vajit dhe kanavacës. Pas shumë ekspozitave të hapura në vendin e tij, piktori kosovar zgjodhi Beratin për të prezantuar veprat e tij, falë lidhjes së fortë që ka mes dy galerive, asaj të Beratit dhe Prishtinës.

Nagip Berisha është i njohur për përdorimin e simbolikës në veprat e tij. “Nagip Berisha i takon brezit të krijuesve të cilët artin kosovar e begatuan me këndvështrime të reja tematike e shprehimore. Fillimi i krijimtarisë së tij pikturale karakterizohet me motive nga vendlindja dhe me nanurisje reminishente nga rinia e hershme. Mirëpo shpejt i braktisi ato dhe kaloi në një rrafsh tematik tjetër, gjithsesi më domethënës dhe më të avancuar. Ky kalim shënon periudhën e thyerjeve dhe të përsiatjeve shprehimore të piktorit, kur ai frymëzohet me mite e legjenda kombëtare, me eposin dhe filozofinë e popullit”, shkruan për veprat e tij Mustafa Ferizi. Kur trajton mitin, dramën apo të bukurën, Berisha përherë paraqitet si piktor ekspresiv, lirik dhe sensitiv, si artist me kulturë të gjerë kreative. Lindi në Pejë dhe u diplomua në Akademinë e Arteve Figurative, drejtimi i pikturës më 1977, në Prishtinë. Ka kryer studime në Itali, Greqi, Gjermani, Austri, çekosllovaki, Poloni, Zvicër, Turqi, Shqipëri etj. është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›