Administrata, 800 punonjës pa limit kohe
Ministria e Integrimit ka përcaktuar planin e plotë të punës që përmban afatet dhe përgjegjësitë përkatëse të çdo institucioni lidhur me pyetësorin dhe 800 punonjësit e shtetit që do të merren me përgjigjet po punojnë pa ndërprerë për plotësimin e përgjigjeve.
1. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Parlamentin. Duhet theksuar se institucionet në varësi të ministrive nuk janë llogaritur, d.m.th. departamenti i Administratës Publike nuk është numëruar si institucion më vete, por si pjesë e Ministrisë së Brendshme. Ose, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konsiderohet si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Numri i institucioneve që do të kontribuojnë në total do të jetë rreth 45. Ky numër mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për Pyetësorin.
2. Deri më tani janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 800 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur edhe më tej.
Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel ministrash, ndërkohë qe administrata do të jetë e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori.