Kuvendi, axhenda e ngjeshur e fillimvitit 2010
Viti 2010 shënon ngjarje të rëndësishme në jetën politike. Në fakt, muajt e parë të vitit pritet të jenë vendimtarë në të dyja kampet e politikës, të cilat lidhen si me zhvillimet brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Kuvendi nis në datën 18 janar dhe me opozitën jashtë, e cila ka vijuar bojkotin që me çeljen e punimeve në datën 7 shtator. Nga ana e saj mazhoranca ka vijuar punën e saj dhe me 74 deputetët e vet u miratuan 70 ligje në një periudhë prej 100 ditësh. Por muajt e parë të vitit do të jenë të rëndësishëm edhe për lëvizjet politike të opozitës. Në muajin mars përfundon afati kushtetues i bojkotit, kohë kur deputetëve të PS-së u duhet një vendim, të djegin mandatin ose të hyjnë në Kuvend. Nga ana tjetër, zhvillimet ndërkombëtare pritet të jenë në qendër të vëmendjes. Dy procese kyçe do të jenë në qendër të punës së qeverisë, liberalizimi i vizave dhe plotësimi i Pyetësorit të Bashkimit Evropian.
Çbojkoti i opozitës?
Nëse sesioni i parë i Parlamentit u mbyll pa praninë e opozitës, duket se edhe sesioni i dytë do të nisë po kështu, pasi PS-ja ka paralajmëruar se në rast se nuk do të hapen kutitë e votimit, protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e qeverisë. Opozita nuk po tërhiqet nga kërkesat e saj të cilat kanë të bëjnë me hapjen e kutive të votimit. Nga ana tjetër, qeveria shprehet e vendosur që nuk do të prekë vendimin e gjykatës, duke i sugjeruar opozitës të ndjekë rrugën e ligjit, nga padia në Prokurori. Kjo pikë mbetet një sfidë për të dyja palët, veçanërisht për opozitën, e cila mund të çojë veten e saj drejt një kostoje të lartë politike, atë të djegies së 64 mandateve të saj. Data 7 mars mbetet afati i fundit për të vendosur. Nëse PS nuk kthehet në Kuvend, atëherë KQZ do të zbatojë Kodin Zgjedhor dhe do të zbresë listën e kandidatëve për deputetë. 61 kandidatë të tjerë të PS-së do të marrin mandatin, nëse digjen mandatet aktuale. Por, nëse mandatet digjen, Erion Velian, Skënder Gjinushi dhe një kandidat i PBDNJ-së në Gjirokastër do të përfitojnë mandat deputeti.
Faktori ndërkombëtar ka përsëritur shpesh që opozita të hyjë në Kuvend dhe që çdo problem të saj ta diskutojë brenda mureve të Kuvendit. Gjithsesi, deputetët e “Mendimit Ndryshe” në PS janë shprehur se nuk do të djegin mandatet nëse situata shkon deri në atë pikë. Dy muajt në vijim do të tregojnë maturinë politike të opozitës.
Integrimi në BE
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian ndodhet në fazën e vetë kulminante. Vendi është drejt finalizimit të liberalizimit të vizave me vendet Shengen si dhe është pranuar kërkesa e Shqipërisë për statusin kandidat për në Bashkimin Evropian. Këto procese lidhen direkt me zhvillimet politike ato teknike si dhe me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Liberalizimi i vizave
Procesi i liberalizimi të vizave duket se nuk do të ketë më surpriza. Shqiptarët do të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian pas muajit qershor të këtij viti. Në muajt e parë të këtij viti pritet që Komisioni Evropian të nisë grupet që do të vëzhgojnë në terren se si qeveria shqiptare ka zbatuar kriteret që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e regjimit të vizave. Nëse raportet e këtyre grupeve do të jenë pozitive, atëherë në mesin e këtij viti shqiptarët mund të marrin lajmin e mirë se nuk do të ketë më kufij për ta. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha në një intervistë të para pak ditëve, deklaroi se Shqipëria ka plotësuar kriteret. “Nga ana teknike, presim dy misione të Bashkimit Evropian për të verifikuar dy blloqe të tjera, pas verifikimit që u bë në mes të dhjetorit për bllokun e sigurisë së dokumenteve. Ky verifikim, në bindjen e ekspertëve tanë kaloi jashtëzakonisht mirë. Ndërsa nga ana politike, mund t’ju them që sot Shqipëria ka plotësuar të gjitha kriteret themelore për heqjen e vizave dhe, në aspekte të caktuara, në përmbushjen e këtyre kritereve, është më e avancuar sesa tri vendet e rajonit, të cilat kanë përfituar tashmë nga procesi i liberalizimit të vizave”, - tha Basha. Aplikimet për pasaporta biometrike kanë shkuar në rreth 400 mijë. Një tjetër mision vëzhgimi pritet të vizitojë Shqipërinë në muajin shkurt të këtij viti, i cili do të shohë sigurinë e kufijve. Pas këtij hapi, Komisioni Evropian pritet që në muajin mars të hartojë një mendim për liberalizimin e vizave dhe pasi miratimit, që pritet të ndodhë në muajin prill, do t’ia kalojë për miratim final Këshillit të Bashkimit Evropian. Ky do të jetë hapi final dhe pritet që me miratimin e Këshillit, shqiptarët që kanë pasaporta të reja biometrike, do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian.
2260 pyetjet e Komisionit Evropian
Qeveria shqiptare ndodhet në mesin e procesit për t’iu përgjigjur 2280 pyetjeve të Komisionit Evropian. Ky proces që pritet të mbyllet brenda kësaj pranvere, do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve që kanë të bëjnë me statusin kandidat. Në këtë pikë, roli i opozitës është vendimtar. Statusi kandidat është një proces i gjerë, ku ka vend për të gjithë. Në Kuvend presin disa ligje për reforma kyçe, veçanërisht të asaj në drejtësi, por të cilat opozita i ka bllokuar me bojkotin e saj. Nëse gjithçka ecën normalisht, pritet që Shqipëria të fitojë statusin kandidat për në BE në fundin e këtij viti. Kjo do të thotë që në vitin 2011, Shqipëria të jetë gati për të çelur negociata për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Këta cilësohen hapa të shpejtë të vendit tonë drejt integrimit në BE. Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, pritet që integrimi i Shqipërisë të jetë më i shpejtë se mendohej fillimisht. Vendet e Ballkanit Perëndimor flitet se mund të bëhen anëtare të BE-së në vitin 2014, një vit simbolik në historinë botërore, pasi një shekull më parë nisi Lufta e Parë Botërore pikërisht nga vendet e Ballkanit.
Reforma ligjore
Këtë pranverë duhet të miratohen edhe ligjet e cilësuara ose ligjet konsensuale, por miratimi i tyre lidhet direkt me praninë e opozitës në Kuvend. Në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë presin të miratohen një grup projektligjesh që kanë të bëjnë me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, por në fakt kanë mbetur pezull, për shkak se duhen më shumë se 84 vota që këto ligje të miratohen. Reforma në drejtësi duhet të jetë konsensuale, por pa praninë e deputetëve të opozitës, kjo reformë nuk mund të bëhet. Prania e opozitës në Kuvend tashmë shihet si një domosdoshmëri jetike. Ndërsa pritet që të miratohet ligji i ri për Konferencën Gjyqësore dhe për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, disa anëtarëve u ka mbaruar mandati, por në sirtarët e Kuvendit presin edhe disa ligje me rëndësi që të miratohen, si për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, i ndryshuar, si dhe një shtesë në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Kodi civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Një tjetër projekt tepër i kërkuar veçanërisht nga bota e biznesit është Gjykata Administrative.
Kongresi i PD-së
Kongresi i Partisë Demokratike ende nuk ka përfunduar. Në muajin dhjetor u zgjodh Këshilli Kombëtar, organi më i lartë vendimmarrës në Partinë Demokratike. Ky organ zgjedh drejtuesit e tërë partisë, mes tyre kryesisë, si dhe sekretariatin në PD. Brenda muajit janar, kreu i PD-së, Sali Berisha, do të mbledhë Këshillin Kombëtar me 140 anëtarët e tij, për të zgjedhur Kryesinë e më pas të zgjidhen edhe sekretarët e rinj në PD.
Ndryshimet statutore në PS
Partia Socialiste do të bëhet gati për të bërë ndryshime në statut. Në kongresin e saj të vjeshtës, u vendos që në muajt e pranverës të ketë ndryshime statutore. Këto ndryshime nuk u ndërmorën në kongresin e vjeshtës, pasi mbështetësit e kreut, Edi Rama, argumentuan se është ende herët për to. Nga ana tjetër, më se 300 delegatë kërkuan ndryshime në statut, ku thelbi ishte zvogëlimi i pushtetit të kryetarit brenda partisë. “Mendimi Ndryshe” në PS paraqiti propozimet e tij, ku rikërkonte që kreu i partisë të japë dorëheqjen nëse zgjedhjet humben. Mendohet se në muajin mars do të rimblidhet kongresi i PS-së për ndryshimet statutore, por që ende nuk mund të mësohet se cili do të jetë thelbi i këtyre ndryshimeve strukturore brenda partisë më të madhe të opozitës.