E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetësori lë qeverinë pa pushime, non stop në punë

Dokumenti i Komisionit Evropian me 2260 pyetje, të radhitura në 384 faqe të printuara, ka angazhuar maksimalisht qeverinë “Berisha”, e cila është detyruar të punojë non stop, duke harruar çdo lloj feste dhe pushimi deri në kthimin e përgjigjeve të plota. Pjesa më e madhe e administratës publike nuk ka ndërprerë punën edhe përgjatë ditëve të ndërrimit të viteve, ndërkohë që dje të gjitha dikasteret përgjegjëse për pyetësorin e KE-së u gjendën në punë si në një ditë të zakonshme pune. Kryeministria, Ministria e Integrimit, ajo e Punëve të Jashtme, e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave vijuan procesin e plotësimit të përgjigjeve të pyetësorit të KE-së edhe gjatë festave të fundvitit, ndërkohë që dje iu shtuan edhe institucioni i Parlamentit, Ministria e Arsimit, ajo e Mbrojtjes, Ekonomisë etj. Secila nga ministritë ka ngritur nga 20 grupe pune, të cilat në bazë të fushave respektive kanë marrë dhe pyetjet përkatëse. Numri i institucioneve që do të kontribuojë për plotësimin e përgjigjeve, në total do të jetë rreth 45. Koordinimi i këtij procesi po bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel ministrash, ndërkohë që administrata është e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjet e plota dhe me korrektësi të këtij pyetësori. Fazat e procesit janë hartimi i përgjigjeve, analiza e tyre, hartimi i variantit final të përgjigjeve, përkthimi i centralizuar, miratimi i përgjigjeve dhe dorëzimi i dosjes me përgjigjet në Bruksel. Për këtë qëllim, Ministria e Integrimit ka ngritur grupet ndërinstitucionale të punës dhe grupet në ministritë e linjës dhe institucionet e tjera për koordinimin dhe hartimin e përgjigjeve. Kjo ministri, pasi ka analizuar draftet e ngjashme të KE-së për vendet fqinje, ka marrë të gjitha masat për plotësimin e këtij pyetësori. Duke u bazuar në formatet e vendeve të tjera të rajonit, pyetjet përqendrohen në kriterin politik dhe ekonomik, çka do të thotë se shumica e pyetjeve adresohen në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë. Institucionet që do të kenë ngarkesën më të madhe për sa i përket plotësimit të pyetjeve të kriterit politik, do të jenë Ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti, ndërsa për sa i përket kriterit ekonomik, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ka garantuar se qeveria do të punojë me përkushtim për përgjigjet e pyetjeve të pyetësorit. Ambasadori i KE-së, Helmuth Lohan, i dorëzoi atij para 20 ditësh pyetësorin me 2260 pyetje, 384 faqe, i cili duhet të plotësohet nga autoritetet dhe t'i dorëzohet Komisionit. “Shpreh mirënjohje ndaj Komisionit që në një kohë të shkurtër ia doli të formulonte pyetësorin voluminoz për Shqipërinë. Garantoj se qeveria ime dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim dhe gjithëpërfshirje të spektrit politik, të grupeve të interesit që përgjigjet që do të dërgohen në KE, të jenë më të vërtetat e të vërtetave", - tha ai. Janë 800 punonjës të administratës të angazhuar me intensitet të madh në studimin dhe plotësimin e pyetësorit. Komisioni Ndërministror i Integrimit do të shqyrtojë çdo javë ecurinë e këtij procesi. Pyetësori i Komisionit Evropian vjen plot një muaj pas vendimit të 27 vendeve të BE-së për ta marrë në shqyrtim kërkesën e dorëzuar nga Shqipëria më 28 prill të 2009-s. Këto janë pyetje të pyetësorit që Komisioni Evropian dërgon për secilin vend, i cili ka bërë kërkesën për të aplikuar për statusin e tij në kuadër të Bashkimit Evropian.

14 ministritë marrin pjesët përkatëse
Ministria e Integrimit ka shpërndarë të gjitha udhëzimet për procesin e plotësimit të Pyetësorit. Mësohet se të gjitha grupet ndërinstitucionale të punës dhe ministritë/ institucionet e përfshira në proces, kanë marrë pjesët përkatëse të Pyetësorit të Komisionit Evropian. Po kështu, është kryer analiza e pyetjeve nga Ministria e Integrimit. Sipas raportimit të fundit të kësaj ministrie, analiza konsiston në ndarjen (zbërthimin) e çdo pyetjeje në nënpyetje dhe përcaktimin e ministrisë/ institucionit, që duhet të përgjigjet për hartimin e përgjigjes për çdo nënpyetje. "Të gjitha grupet ndërinstitucionale në bashkëpunim me ministritë/ institucionet e përfshira në proces, janë duke përcaktuar personat përgjegjës për hartimin e çdo pyetjeje/ nënpyetjeje të cilët do të regjistrohen si përdorues në portalin e administrimit elektronik të procesit dhe përgjigjeve", - raporton Ministria e Integrimit. Sipas kësaj ministrie, është krijuar infrastruktura e nevojshme për përkthimin e përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Evropian, e cila përfshin rrjetin kompjuterik dhe programet profesionale të përkthimit. Grupet ndërinstitucionale të punës kanë realizuar 18 takimet e para, në të cilat është diskutuar analiza e pyetjeve dhe janë kryer përmirësime në zbërthimin e pyetjeve të kryer nga Ministria e Integrimit.

Dorëzimi i përgjigjeve, brenda 31 marsit 2010
Qeveria shqiptare synon që dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit ta bëjë brenda datës 31 mars 2010. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, përveç publikimit të kësaj date si afat kohor të dorëzimit, bën të ditur se institucionet e vendit kanë filluar menjëherë nga puna për plotësimin e pyetësorit. Ministrja e Integrimit konfirmoi se pyetjet përfshijnë 45 institucione të vendit. Ndërkohë, dikasteri i integrimit ka punësuar tashmë plot 58 përkthyes që do të merren me hartimin e materialit. Prej tre muajsh grupet e punës kanë kaluar një fazë përgatitore për të punuar me pyetësorin. Administrata do të ketë kohën e mjaftueshme për plotësimin e përgjigjeve.

Pyetësori, fazat e procesit

-Faza fillestare ajo e zbërthimit të pyetjeve e ndjekur nga
-Hartimi i përgjigjeve
-Analiza e tyre
-Hartimi i variantit final të përgjigjeve
-Përkthimi i centralizuar
-Miratimi i përgjigjeve
-Dorëzimi i përgjigjeve në Bruksel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›