Administrata Doganore standardizon praktikat me manualin e ri të vlerësimit

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Administrata Doganore publikoi “Manualin e Vlerësimit Doganor”, një udhëzues praktik që synon unifikimin e praktikave dhe zbatimin e njëtrajtshëm të rregullave për përcaktimin e vlerës së mallrave për qëllime doganore.
Manuali përmbledh kuadrin ligjor dhe metodat e vlerësimit doganor, si dhe trajton çështje të ndryshme që hasen gjatë praktikës së përditshme, duke ofruar shpjegime, shembuj konkretë, lista kontrolli dhe rekomandime metodologjike.
Sipas Administratës Doganore, përcaktimi i saktë i vlerës së mallrave është një element i rëndësishëm i procedurave doganore, pasi lidhet drejtpërdrejt me zbatimin korrekt të detyrimeve doganore dhe trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.
Një vëmendje e veçantë në manual i kushtohet analizimit dhe verifikimit të vlerës së deklaruar, dokumentacionit mbështetës dhe elementeve që duhet të merren në konsideratë gjatë procesit të vlerësimit. Dokumenti përfshin gjithashtu orientime për procedurat që ndiqen në raste të veçanta, si dhe standardet e dokumentimit dhe vendimmarrjes administrative.
Administrata Doganore vlerëson se standardizimi i praktikave dhe interpretimi i njëtrajtshëm i rregullave do të kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike në marrëdhëniet me operatorët ekonomikë, si dhe në shmangien e praktikave arbitrare dhe mbështetjen e konkurrencës së ndershme.
Manuali është hartuar duke marrë në konsideratë legjislacionin shqiptar, Marrëveshjen e OBT-së për Vlerësimin Doganor, Kodin Doganor të Bashkimit Europian, si dhe praktikat e Komisionit Europian dhe Organizatës Botërore të Doganave.
Dokumenti synon të mbështesë edhe procesin e përafrimit të praktikave të Administratës Doganore Shqiptare me standardet dhe praktikat europiane e ndërkombëtare në fushën e vlerësimit doganor.
Administrata Doganore thekson se manuali ka karakter shpjegues dhe orientues, ndërsa Kodi Doganor dhe dispozitat zbatuese të tij mbeten baza ligjore që duhet të konsultohet në çdo rast.
/e.xh/j.p/