"Administrata Gjyqësore", shtyhet diskutimi në Kuvend
Diskutimi mbi projektligjin për Gjykatën Administrative është shtyrë sërish dje nga Komisioni i Ligjeve, pasi mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur emëruesin e përbashkët për të. Ky projektligj vjen si pjesë e paketës së reformës në drejtësi dhe për miratimin e tij duhen të paktën 84 vota, konsensus i cili duket se nuk do të jepet nga opozita pa u marrë parasysh sugjerimet e saj. Deputetët e PS-së kanë kërkuar më shumë kohë për të diskutuar në lidhje me propozimet e bëra prej tyre por edhe nga ekspertët e EURALIUS, USAID-it, atyre të KLD-së dhe propozimeve të bëra nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë. Deputeti socialist, Pandeli Majko, tha në komision se "projektligji kërkon votat e të dyja palëve. Ekspertët tanë duan kohë deri në fund të javës. Javën që vjen, të kalojë në Komisionin e Ligjeve". Ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, vlerësoi variantin e përpunuar, duke theksuar se në projektligj janë integruar pesë nga propozimet e bëra prej ekspertëve të PS-së.