E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grup pune për kartat e identitetit

Kryeministri Sali Berisha u tërhoq dje sërish përballë presionit të opozitës për kartat e identitetit falas. Frika nga dështimi i procesit të letërnjoftimeve e ka detyruar shefin e mazhorancës që të japë karta falas edhe për komunitetin rom. Që dje, pas të verbërve dhe para e tetraplegjikëve, edhe romët do të mund t‘i marrin kartat e identitetit falas. Paralelisht me këtë, Berisha ngriti një Task Force që do të kujdeset për procesin në zonat rurale.

Masat

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha urdhëroi ngritjen e një grupi Task Force për kartat e identitetit, që do të kryesohet nga zv/kryeministri Genc Pollo. Ky grup do të kujdeset për transportin falas të atyre personave që jetojnë në fshatra dhe komuna të thella të vendit për të shkuar në zyrat e aplikimit të kartave të identitetit. Po kështu, Kryeministri ka urdhëruar zv/ministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, që zyrat e aplikimit të qëndrojnë të hapura edhe ditën e diel.

"Kryetarët e komunave, këshillat e komunave, të përcaktojnë edhe krijimin e lehtësirave të transportit me autobusë, por kur janë lagje të shkëputura edhe me mikrobusë. Pra ne t‘i krijojmë mundësi çdo qytetari shqiptar që do të marrë pjesë në votime", tha Berisha. Kryeministri kërkoi në mbledhjen e qeverisë që qendrat e aplikimit të kartave të identitetit të jenë të hapura dhe gjatë fundjavës, me të njëjtin orar të zgjatur si në ditët e zakonshme.

Task Force

Kjo strukturë parashikohet të krijojë lehtësi për transportin e organizuar të banorëve të fshatrave që ndodhen larg nga qendra e komunës. Kryeministri informoi në mbledhjen e qeverisë krijimin e kësaj njësie për t‘i ardhur në ndihmë procesit, teksa opozita po shton kritikat. "Procesi po ecën me ritme të shpejta, por, për ta përshpejtuar më tej, sot do të krijohet një Task Force, e kryesuar nga zëvendëskryeministri", vlerësoi Berisha. Ai tha se objektivi kryesor është që të lehtësojë aplikimin për banorët e zonave të thella. Sakaq, Kryeministri informoi se qendrat e aplikimit do të funksionojnë edhe në ditët e shtuna dhe të diela. "Tani që qendrat e aplikimit fillojnë aktivitetin edhe në ditët e shtuna dhe të diela, kërkon që edhe kryetarët e komunave, këshillat e komunave, të përcaktojnë edhe krijimin e lehtësirave të transportit, me autobusë, apo me mikrobusë, kur janë lagje të shkëputura, në mënyrë që t‘i krijojmë lehtësi çdo qytetari shqiptar, i cili do të marrë pjesë në votime, të aplikojë", tha Berisha.

Karta falas

Qeveria premton karta falas për komunitetin rom, megjithëse vendimi ende nuk ka marrë formën e prerë. Premtimi i Kryeministrit Sali Berisha pritet të konkretizohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Karta falas do të përfitojnë edhe të verbrit dhe personat para dhe tetraplegjikë. Pensionistët do të kompensohen në masën 900 lekë, ndërsa studentët në masën 1000 lekë. Në kuadër të lehtësimit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik, Kryeministri Berisha tha se edhe komuniteti rom, që janë shtresa më e varfër, do ta marrin letërnjoftimin elektronik njëlloj si kategoria e paraplegjikëve dhe të verbërve.

Lëvizja

Sipas Berishës, dokumenti i ri i identitetit është shumë i rëndësishëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve. "Unë dua të informoj qytetarët shqiptarë se dëshmia, ndër më kryesoret, e përshtatshmërisë së këtij kombi për të hequr vizat, është pajisja e tyre me letërnjoftime dhe pasaporta biometrike", u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se qytetarët shqiptarë, duke u pajisur me këto dokumente, kontribuojnë më shumë se në çdo gjë tjetër në këtë proces. "Gjithnjë duhet të bëjmë detyrat tona, të pajisemi me këto dokumente dhe kjo përbën premisën më të madhe, sepse reformat e tjera janë bërë. Ka një seri kriteresh dhe janë të shumta, por të mos mendojmë se ministri i Jashtëm i një vendi mund të thotë po, kur të dëgjojë se ne nuk i kemi këto dokumente", theksoi Kryeministri.

Rama:

"Edhe egjiptianët janë të papunë"

"Kryeministri tha se romëve do t‘ua japim kartat e identitetit falas që të votojnë, por ka përveç romëve, edhe egjiptianë, të cilët, po ashtu si romët, janë të papunë e të varfër". Gjatë bashkëbisedimit me këtë komunitet, duke marrë shkas nga Dita Ndërkombëtare e Romëve, një tjetër shtresë në nevojë, Edi Rama u shpreh dje se nuk duhet pritur një ditë ndërkombëtare për këto komunitete për t‘u premtuar lehtësira punësimi dhe shkollimi, por qeveria duhet të jetë çdo ditë pranë tyre me politikat e saj sociale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›