Gjoni: Drejtuesit e policisë po shkelin ligjin
Anëtari i Asamblesë Kombëtare në Partinë Socialiste, Ilir Gjoni, denoncoi dje drejtuesit e policisë për shkelje të misionit kushtetues. Referuar një urdhri të datës 17 shkurt të këtij viti, sipas Gjonit, punonjësit e rendit janë urdhëruar që të nisin punën për evidentimin e të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që janë emigrantë dhe deri në 28 qershor mbushin 18 vjeç. "Banorët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë janë bërë dëshmitarë të faktit se punonjës policie trokasin në dyert e shtetasve duke kërkuar të dhëna e informacion lidhur me emigrantët shqiptarë", tha Gjoni. Sipas tij, ky veprim nga ana e strukturave të policisë të urdhëruara nga eprorët e politizuar, përveçse bie ndesh me misionin dhe funksionet e Policisë së Shtetit, të përcaktuara në nenet 4 dhe 6 të Ligjit për Policinë e Shtetit, është i pajustifikueshëm ligjërisht, pasi kjo detyrë i takon ta kryejë pushtetit lokal.