E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit, kërkohet interpretim në një nen

Neni gjashtë i Kodit Zgjedhor do të saktësohet si interpretim në Fletoren Zyrtare. Bëhet fjalë për një pikë të këtij neni që flet për të drejtën e akreditimit të vëzhguesve në zgjedhje. Gjatë punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u evidentua një "përplasje" mes asaj çfarë parashikon kodi dhe punës që i takon të bëjë KQZ-ja. Neni 6, pika 6 e këtij kodi parashikon që KQZ ka të drejtë t‘ua delegojë KZAZ-ve procesin e akreditimit të vëzhguesve. Por aktualisht, në Kodin Zgjedhor parashikohet që për të zbatuar pikën gjashtë, KQZ duhet të bazohet te pika 2 dhe 3 e këtij neni, ndërsa sanksionimi i saktë do të ishte "bazuar te pika 4 dhe 5". Pikërisht kjo pasaktësi ka sjellë shtyrjen tre herë të udhëzimit për rolin e vëzhguesve në zgjedhjet e përgjithshme. Ndërkohë që partitë politike në mënyrë informale dhe jozyrtare kanë kërkuar nga komisioni që të vazhdojë punën e tij, ndërsa do të merren masa për të bërë rregullimin. Burimet nga KQZ-ja bënë të ditur se partitë politike të vëna në dijeni për këtë problem nga përfaqësuesit e tyre ligjor kanë informuar KQZ-në që mund të vijojë me pjesën tjetër të detyrave të saj, ndërsa do të bëhet interpretimi dhe saktësimi i pikës gjashtë. Pikat katër dhe pesë flasin për vendin ku bëhet akreditimi, ndërsa pikat 2 dhe 3 flasin për vëzhguesit e OJF etj. Ndaj, për zbatimin e pikës 6, Kodi Zgjedhor duhet t‘i referohet pikës 4 dhe 5 dhe jo 2 dhe 3 sikundër është shkruar. Neni 6 parashikon që kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim t‘i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja miraton kërkesat jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e tyre. KQZ-ja ka të drejtë, me udhëzim të veçantë, t‘u delegojë KZAZ-ve kompetencën e akreditimit të vëzhguesve.

Drafti për rolin e vëzhguesve në zgjedhjet e përgjithshme ka kaluar tri herë në duart e KQZ-së, por nuk ka mundur të marrë miratimin e tyre. Kjo jo vetëm për shkak të kësaj pasaktësie që hasën në kod, por edhe për shkak të mosmarrëveshjeve mes anëtarëve për sa u përket dokumenteve identifikuese të vëzhguesve. Të djathtët kërkuan që si dokument identifikues mund të përdoren mes të tjerash edhe certifikatat, ndërsa përfaqësuesit e PS-së kërkuan që identifikimi i tyre të bëhet vetëm përmes pasaportës ose kartës së identitetit. Propozimet u hodhën në votim, por asnjë prej tyre nuk mori shumicën e votës së anëtarëve. Ndërkohë, dje KQZ mori në shqyrtim udhëzimin për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit që u shty edhe për disa javë, derisa të testohen kamerat. Nënkryetarja e KQZ-së, Subashi, tha se duke pasur parasysh funksionimin e kamerave që do japin rezultat online dhe çfarë parashikon ky udhëzim, mund të ketë dublim udhëzimesh, ndaj duhet pritur rezultati i testit të kamerave për të vazhduar me këtë draft.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›