E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata Gjyqësore,komisioni shtyn draftin

Opozita ka kërkuar sërish kohë për diskutimin e projektligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore. Ky projektligj ka gati pesë muaj që rri në tryezën e punës së Komisionit të Ligjeve, por mesa duket kjo kohë nuk ka mjaftuar për deputetët e PS-së që ta shqyrtojnë këtë draft të qeverisë dhe më pas ta kalojnë për miratim në Kuvend. Projektligji për administratën gjyqësore vjen si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, ndaj për miratimin tij duhet konsensusi i të gjitha palëve. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputetët e PS-së kanë deklaruar se nuk janë ende gati për miratimin e këtij projektligji, sipas tyre, ekspertët e opozitës kërkojnë më shumë kohë. Ky pretendim është pranuar nga mazhoranca duke e shtyrë për më vonë miratimin e këtij drafti të hartuar nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë. Në mbledhjet e shkuara, në Komisionin e Ligjeve, deputetët e opozitës janë shprehur se kanë dyshimet e tyre lidhur me tendencat politike të ministrit të Drejtësisë mbi administratën gjyqësore. Për këtë, ata kanë ngritur pikëpyetje mbi çështje të ndryshme të projektit, si dhe faktit se pse projekti nuk iu la në dorë Nënkomisionit për Reformën në Drejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›