E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi i kandidatit, Tirana nuk tërhiqet

Diplomacia shqiptare ngulmon në aplikimin për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian para zgjedhjeve parlamentare. Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi dje në Bruksel një takim me Trojkën e Bashkimit Evropian që kryesohej nga ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarzenberg. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Jashtme konfirmoi aplikimin brenda presidencës çeke. Bashkëbiseduesit në takimin me Trojkën shkëmbyen pikëpamjet e tyre për gjendjen në Shqipëri, zhvillimet politike në rajon dhe bashkëpunimin e mëtejshëm. "Kemi diskutuar për zhvillimet në Shqipëri, si ndryshimet në Kushtetutë, ligjin e lustracionit, përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, duke përfshirë reformën e Kodit Elektoral dhe krijimin e regjistrit civil. Ne theksuam rëndësinë e bashkëpunimit mes spektrit politik, veçanërisht për hartimin e legjislacionit dhe ndërtimin e kapaciteteve administrative", deklaroi ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarzenberg. Ai rikonfirmoi qëndrimin e Brukselit se kusht për integrimin e Shqipërisë mbeten lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësia e gjyqësorit, ndërkohë që shtoi se për liberalizimin e vizave duhen pasaportat biometrike. "Për sa i përket liberalizimit të vizave, që është një prioritet për Shqipërinë, ne kemi theksuar nevojën e prezantimit të pasaportave biometrike. Për këtë çështje, duhet vëmendje në vazhdim si nga ana politike edhe nga ajo administrative", vijoi ai. Diplomati çek vlerësoi se së fundi, por jo për nga rëndësia, ne kemi konfirmuar perspektivën evropiane për Shqipërinë. Ministri shqiptar, Lulzim Basha, konfirmoi skepticizmin e deklaruar një ditë më parë nga komisioneri Oli Rehn, për dorëzimin e dosjes së kandidimit të Shqipërisë brenda presidencës çeke, çka koincidon edhe me zgjedhjet e 28 qershorit. "Ne diskutuam për dy prioritetet më të mëdha të Shqipërisë, aplikimin për në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave. Jam i kënaqur që ne gjetëm mbështetje të plotë si nga presidenca aktuale, nga presidenca e ardhshme e BE-së dhe nga komisioni", nënvizoi Basha. Ai e konsideroi të rëndësishëm koordinimin me partnerët evropianë dhe marrëdhëniet e mira si me presidencën çeke, edhe me atë që do ta pasojë atë. "Nga këndvështrimi ynë ka shumë pak ndryshim nga çfarë kemi thënë me herët, kur Kryeministri ka thënë se jemi në bashkëpunim shumë të ngushtë me presidencën çeke. Sigurisht, ne nuk jemi indiferentë për rrethanat ekzistuese në Bashkimin Evropian, si për situatën e brendshme në BE, për situatën ekonomike dhe disa rrethana të tjera që kanë sjellë hezitime në Bashkimin Evropian. Megjithatë, detyra ime sot këtu ishte të informoj homologët për hapat që Shqipëria ka bërë përpara", u shpreh Basha. Bazuar në këto të dhëna, vijoi ministri, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me Pragën, me presidencën çeke, për të ndërmarrë hapin tjetër.

Basha: Garantojmë zgjedhje

konform standardeve

"Statusi i kandidatit? Nuk ka zvarritje të hedhjes së hapit tjetër"

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, rikonfirmoi vendosmërinë e qeverisë që zgjedhjet e qershorit të jenë konform standardeve ndërkombëtare. Këto komente Basha i bëri duke folur për BBC-në nga Brukseli, para takimit të Treshes së Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë që ka për qëllim vlerësimin e përafrimit të vendit me BE-në.

Përse Shqipëria e zvarrit kërkesën zyrtare për vend kandidat për në BE zoti Basha?

Ka dy gjëra. Së pari, nuk ka zvarritje të hedhjes së hapit tjetër. Çdo interpretim i tillë është jo objektiv. Shqipëria ka ecur me ritmin e saj, e ndërgjegjshme për nevojën e zbatimit të reformave. Veçanërisht tre apo katër vite më përpara kur me të vërtetë progres-raportet për Shqipërinë nuk ishin me nota pozitive. Ndërkohë, janë bërë hapa shumë të mëdha përpara. Është shënuar një zhvillim i reformave të guximshme dhe është bërë një përparim i qartë, i shpejtë dhe i qëndrueshëm. Bazuar mbi këto arritje dhe mbi njohjen e këtyre arritjeve nga Bashkimi Evropian, ne jemi sot në prag të hedhjes së hapit tjetër. Pra, çdo pretendim se ne po e zvarrisim, apo kemi ndërmend ta vonojmë këtë hap, është i pavërtetë.

Ka pasur spekulime të ndryshme, ndaj po ju pyes zoti Basha, a është këshilluar pala shqiptare që kërkesën ta bëjë përpara ose pas zgjedhjeve të qershorit?

Padyshim që zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë një rëndësi të veçantë edhe në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. Hapat që ka ndërmarrë mazhoranca, qeveria shqiptare, por dhe hapat e ndërmarrë nga e gjithë klasa politike shqiptare, siç ishte reforma elektorale, janë shenja shumë të mira se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mund të zhvillohen nën kushtet e normalitetit të plotë, të garantojnë lirinë dhe drejtësinë e tyre. Këto janë, padyshim, çështje që kam diskutuar edhe të hënën me zotin Olli Rehn, do të vazhdoj t‘i diskutoj edhe sot (e martë) me Trojkën evropiane. Janë çështje të cilat Bashkimi Evropian dhe Shqipëria i diskutojnë në nivele të ndryshme të partneritetit, por nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me atë trajektore që Shqipëria ka përshkuar veçanërisht në vitet e fundit dhe që çon natyrshëm drejt ambicies për të hedhur hapin tjetër, atë të aplikimit për anëtarësim në BE.

Zoti Basha, me gjithë zotimet e qeverisë suaj se zgjedhjet ardhshme do të jenë të lira e të ndershme, konform standardeve ndërkombëtare, opozita e majtë në Tiranë ka shprehur shqetësimin e vet për pamjaftueshmërinë e përpjekjeve të qeverisë për mbarëvajtjen e tyre. Çfarë mund të thoni?

Retorika paraelektorale, konkrete apo abstrakte, është pjesë e zgjedhjeve, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në Ballkan, por kudo në botë. Megjithatë, duket qartë se përpjekjet e mazhorancës, të qeverisë shqiptare, për të bërë të mundur që aspektet kryesore që kanë çaluar në zgjedhjet e kaluara, siç është regjistri i votuesve apo pajisja e tyre me dokumente përkatëse të identifikimit, qofshin këto pasaporta apo letërnjoftimet elektronike të sapoprodhuara me një cilësi superiore evropiane, kanë ecur dhe do të vazhdojnë të ecin përpara. Dhe, të paktën nga ky aspekt mendoj se zgjedhjet e ardhshme do të kryhen në kushtet e një infrastrukture dhe të standardeve evropiane.

Zoti ministër, prisni që në takimin me Treshen evropiane të hapet edhe çështja e ligjit të debatuar për pastërtinë e figurave?

Kjo është një çështje që është diskutuar mjaft. Siç dihet tashmë ka pasur zhvillime. Ne e dimë qëndrimin e Komisionit Evropian, e dimë edhe qëndrimin e një numri të tjerë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ashtu siç dihet, edhe qëndrimi ynë, i cili u vërtetua katërcipërisht edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria shqiptare mbetet e vendosur të respektojë plotësisht shtetin ligjor dhe rendin kushtetues. Në fakt, është një mbrojtëse e vendosur e kësaj, por në të njëjtën kohë ne kemi bërë të ditur se ky ligj është i domosdoshëm dhe procesi për ecjen përpara në këtë drejtim nuk mund të ndalet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›