Dënimet alternative, përfitojnë 350 të burgosur
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke vlerësuar dhe ulur problematikën e mbipopullimit, i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë hartimin e ligjit për dënimet alternative. Drejtori i Burgjeve, Gazmend Dibra, tha dje se nga ky ligj përfitojnë rreth 350 të dënuar. Në këtë mënyrë, sipas Dibrës, do të ulet mbipopullimi. Ndërkaq, sot bëhet prezantimi dhe shkëmbimi i përvojave të suksesshme në zbatimin e drejtësisë restauruese dhe ndërmjetësimit viktimë-kundërvajtës për të miturit e më gjerë. "Ky forum synon në zhvillimin e dialogut rajonal ndërinstitucional për reformimin e sistemit të drejtësisë në vendet përkatëse, veçanërisht zbatimit të masave alternative ndaj burgimit dhe të drejtësisë restauruese për të miturit", tha dje Ministria e Drejtësisë. Sipas tyre, një objektiv tjetër i këtij forumi është që të kontribuohet në ngritjen e rrjeteve rajonale ndërprofesionale për zbatimin e drejtësisë restauruese dhe ndërgjegjësimin e aktorëve shtetërorë dhe të shoqërisë civile për zhvillimin e drejtësisë restauruese në kontekstin e rajonit të Ballkanit.