Administrata “Obama”, më e ashpër ndaj Serbisë
Uilliam Montgomeri, ish-ambasador amerikan në Kroaci dhe Serbi, konsideron se me gjithë praninë e shumë personaliteteve nga administrata e Klintonit në administratën e Obamës, vazhdimësia e politikës së jashtme të Bushit ndaj Ballkanit Perëndimor në thelb nuk do të ndryshojë. "Mendoj se nuk do të ketë ndryshime esenciale. Në establishmentin e Shteteve të Bashkuara, që krahas Presidentit përfshin edhe Departamentin e Shtetit, Kongresin dhe përfaqësuesit e demokratëve dhe republikanëve, ekziston konsensus kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj Ballkanit. Rrjedhimisht, nuk mendoj se do të ketë ndryshime", - thotë Mongomeri. "Themelet e politikës ndaj Ballkanit që i ka zbatuar administrata e Bushit kanë qenë të vendosura nga administratat e Klintonit. Disa personalitete që kanë qenë pjesë e administratës dhe që tash janë kthyer (Hillari Klinton dhe senatori Xhozef Bajdën) fuqishëm kanë mbështetur politikën e atëhershme ndaj Ballkanit dhe kjo më bën të besoj se nuk do të ketë ndryshime". "Ndoshta do të ketë ndryshime në formë, por jo në esencë. Për shembull, mund të ndodhë të emërohet ndonjë emisar special për zgjidhjen e çështjeve të mëdha në Kosovë dhe Bosnjë", - thotë ish-ambasadori amerikan. I pyetur se çfarë qëndrimi do të kenë Hillari Klinton dhe Xhozef Bajdën ndaj Ballkanit, Montgomeri thotë: "Kisha për të thënë se Xhozef Bajdën, sipas të gjitha gjasave, do të ketë qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë". Mark Almond, nga Universiteti i Oksfordit, gjithashtu pohon se nuk do të ketë ndryshime në qëndrimin e administratës Obama ndaj Ballkanit.