Opozita kërkon kompani të huaj për monitorimin e procesit
Opozita kërkoi dje në Kuvend një kompani të huaj private e cila do të monitorojë procesin paraprak të përgatitjeve të zgjedhjeve. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi, hodhi dyshime në lidhje me procesin, që nga pajisja e qytetarëve me letërnjoftime e deri tek listat e votuesve. Sipas tij, një kompani e huaj e specializuar të përgjigjet dhe të paguhet nga qeveria dhe të monitorojë të gjithë procesin. “Ne mendojmë se një kompani e huaj e cila do të monitoronte procesin, do të shërbente për transparencë”, - tha dje në Kuvend Klosi. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri, Genc Pollo, nuk dha një përgjigje për këtë çështje, por dha një përgjigje pozitive vetëm për pajisjen e shpejtë të qytetarëve me karta identiteti që nuk kanë pasaporta. Personat që nuk disponojnë pasaporta të rregullta për të udhëtuar jashtë shtetit, do të kenë lehtësi për marrjen e letërnjoftimit të ri. Sipas tij, janë 730 mijë persona që nuk kanë pasaporta, për të cilët opozita ka kërkuar pajisjen me përparësi të tyre. “Vendimi i Këshillit të Ministrave për këta qytetarë, që për shkak të moshës ose për arsye të tjera nuk kanë marrë pasaportë, parashikon prioritet për pajisjen e tyre me dokumente”, -deklaroi Pollo.