Petro Koçi: Rama-Obama, dy pole të ndryshme
Kryetari i Lëvizjes PS’91, Petro Koçi, deklaroi dje në Kuvend se zgjedhja e Obamës “nuk ka nevoje për përkthim të korruptuar në Tiranë”. Deputeti Koçi tha se zgjedhja e Presidentit Obama i ka “dhënë fund debatit hipokrit ballkanik”. Duke folur mbi zhvillimet në SHBA, Koçi komentoi edhe politikën e Tiranës që sipas tij, nuk ka lidhje me atë të Obamës. Sipas tij, kreu socialist Rama është modeli që mposhti Obama. “Obama foli. Thjesht, por troç! Ai nuk ka nevojë për përkthim të korruptuar në Tiranë. Fjala e tij politike ka nevojë për reflektim të thellë, të qenësishëm, të vërtetë, thelbësor dhe leksionnxjerrës. Obama i dha fund debatit hipokrit ballkanik “politikë e re apo politikë e vjetër” kur thotë: “Sfidat tona mund të jene të reja. Mjetet tona për t’i përballur ato mund të jenë të reja. Por vlerat nga të cilat varet suksesi ynë - puna e lodhshme dhe ndershmëria, kurajua dhe loja e pastër, toleranca dhe shpirti i kërkimit, besnikëria dhe patriotizmi – të gjitha këto janë të vjetra! Ajo që kërkohet atëherë është rikthimi në këto të vërteta!”, - tha Koçi. Ai shtoi se në Shqipëri i duhet dhënë fund politikës që ndiqet nga kryesocialisti Rama. “Pra, edhe Shqipërisë sonë i duhet më në fund një politikë e mirë, politikë e vërtetë, politikë institucionale, politikë qytetare. Obama nuk është socialist, por megjithëse ka mbështetur paketat shumëmiliardëshe për bankat në rrezik apo industrinë e automobilave, është plotësisht social dhe patriot kur thotë: “Një komb nuk mund të begatohet kur ai favorizon vetëm të pasurit””, - shtoi Koçi.