Aplikimi në BE, Kuvendi voton të hënën
Kuvendi shtyu dje projektrezolutën e paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së “Për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. Deputetët e të dyja palëve ranë dakord me propozimin e opozitës, që kjo rezolutë të debatohet njëherë në Komisionin e Jashtëm me qëllim gjetjen e një konsensusi sa më të gjerë për këtë çështje. Mazhoranca pranoi këtë propozim të opozitës duke i hapur rrugë konsensusit mes palëve. Aplikimi në BE për të qenë vend kandidat, do të bëhet njëzëri nga i gjithë Kuvendi i Shqipërisë. “Mazhoranca qeverisëse është e angazhuar të plotësojë të gjitha kushtet, duke filluar nga realizimi i zgjedhjeve me standarde, ecuria e reformave, e deri në përgatitjen e procedurës së aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Integrimi më shumë se një sfidë, është një realitet i afërt për Shqipërinë”, - tha deputeti i PD-së, Genc Juka. “Projektrezoluta nxit qeverinë shqiptare që të paraqesë në fund të këtij muaji kërkesën për aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së”.