E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i PS-së, 11 komisione pune akoma pa një rezultat



Pavarësisht se programi i LSI-së ka ende mjaft elementë që duhet të plotësohen dhe të zbardhen për të dhënë një ide konkrete se si do ta përmirësojnë jetën e çdo qytetari, socialistët nuk e kanë publikuar ende programin e tyre qeverisës, për të cilin prej dy vjetësh po punojnë 11 komisione brenda partisë, por edhe ekspertë të huaj. Edhe pse kanë premtuar se programi qeverisës do të ishte gati fillimisht në korrik të 2008-s e mandej në shtator të këtij viti, po mbyllet janari dhe nuk ka ende shenja të programit 500-faqësh. Selia rozë e justifikon, duke u shprehur se programi është gati, por s’e publikon se ka frikë nga vjedhja e ideve që mund të bëjnë partitë e tjera. Në të njëjtin proces duket se ndodhet edhe LSI. Selia rozë ka premtuar se programi do të shpallet dhe do të diskutohet me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, por koha që mbetet deri në zgjedhje zvogëlon mundësinë e shqyrtimit të programit qeverisës të partisë më të madhe opozitare. Nga ana tjetër, LSI e ka marrë seriozisht të rivalizojë socialistët, jo vetëm në ide, por edhe në përgatitjet për zgjedhjet, ku ajo do të dalë e vetme. Edhe pse pak muaj larg ditës së zgjedhjeve, socialistët nuk kanë filluar ende me premtimet.

Dalipi: Qeveria premtoi 6 mijë km rrugë, ka realizuar më pak se 400 km

Socialistët akuzuan dje qeverinë shqiptare se nuk ka mbajtur premtimin për shtrimin e 6 mijë km rrugë. Sipas deputetit socialist, Alfred Dalipi, janë realizuar më pak se 400 km rrugë. “5 muaj nga mandati qeverisës, sot është e nevojshme, është e domosdoshme, është e qenësishme për programin e një force politike të votuar në Kuvendin e Shqipërisë, të kuptohet dhe të theksohet se shqiptarëve 3 vjet më parë në vitin 2005 iu premtua 6 mijë km rrugë të asfaltuara. Iu premtuan jo vetëm në fushatë, por iu dhanë siguri se do të bëheshin vërtet edhe kur PD votoi programin e saj në Parlament, sigurisht duke i gënjyer për herë të dytë”, - tha Dalipi. Ai vuri në dukje se sot në fund të mandatit, 5 muaj nga ballafaqimi elektoral, qytetarët duhet të informohen, taksapagues apo jo, votues apo në moshë të re, gjithë shqiptarët, se në vitin 2006 kjo qeveri, Ministria e Transporteve ka tenderuar dhe investuar 23.2 miliardë lekë ose 250 milionë dollarë, në vitin 2007 - 34 miliardë lekë ose 400 milionë dollarë, në vitin 2008 – 56.8 miliardë lekë ose 600 milionë dollarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›