Lista e zgjedhësve, gati 5 muaj para
Listat e zgjedhësve do të jenë gati 5 muaj përpara ditës së votimit. Qeveria ka premtuar se listat do të jenë gati së shpejti dhe se brenda këtij muaji do të eliminohen të gjitha dublikimet. Kuvendi debatoi dje në lidhje me këtë proces dhe nga ana e qeverisë ishte zëvendëskryeministri Genc Pollo i cili bëri premtimet. Ai tha se brenda 10 ditësh do të kemi mundësi të shohim listën e zgjedhësve të pastruar nga të gjitha dublikatat për të cilat u shpreh: “Janë afërsisht 50 mijë emra të dyshimtë”. Pollo tha se “lista nuk do publikohet ditën e zgjedhjeve si në kohën e socialistëve”. Akuzat e opozitës u shtrinë për gjithë procesin, që nga hartimi i listave e deri te pajisja e qytetarëve me karta identiteti. Opozita ngriti shqetësimin se janë rreth 200 mijë dublikime si dhe ngriti kërkesa për procesin e pajisjes që qytetarëve më letërnjoftime të reja. Reagimi i Pollos ishte në të njëjtën linjë, madje ai akuzoi opozitën se po bën “ballo” dhe tentativa të dështuara për të sfumuar procesin. Sipas tij, procesi për zgjedhjet e vitit 2009 do të jetë më transparent se asnjëherë. “Nuk janë 200 mijë dublikime, sikurse pretendon opozita, por vetëm 50 mijë. Brenda dhjetë ditësh, Ministria e Brendshme do të njoftojë për eliminimin e tyre dhe mbi këtë bazë do të dalin lista zgjedhore të sakta”, - tha Pollo. Ai shtoi se opozita ka standarde të dyfishta, duke marrë shembullin e bashkëpunimit të kryetarëve vendorë socialistë në të gjithë vendin. Opozita e kundërshtoi qëndrimin e Pollos. Ndërkohë, opozita ngriti disa pretendime. “Procesi po dëshmon se qeveria është e paaftë për të kontrolluar dhe menaxhuar këtë projekt të rëndësishëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme. Ajo dështoi me këtë proces që në fillimet e tij”, - tha deputeti socialist Klosi. Por qeveria është treguar e hapur për propozimet e opozitës në lidhje me pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime të reja. Zv.kryeministri tha se tashmë janë hequr një pjesë e sanksioneve, si pjesa që personat të cilët kanë pasaporta nuk do të penalizohen duke bërë të mundur pajisjen më parë të personave që nuk kanë dokumente identifikimi. Por opozita kërkoi diçka konkrete. “Qeveria ka premtuar që dublikimet të pastrohen brenda vitit 2008, por ky proces ende nuk po përfundon. Dublikimet po bllokojnë aplikimin e qytetarëve për kartat e identitetit dhe pastrimi i regjistrit kombëtar do të dështojë nga mungesa e një strategjie të qartë”, - tha Klosi. Numri dy i qeverisë, Pollo, kritikoi propozimet e bëra nga ana e PS-së për heqjen e masave shtrënguese për ata që kanë pasaportë. “PS-ja të rishikojë propozimin e saj që të bllokonte furnizimin me letërnjoftim të të gjithë popullsisë për të furnizuar vetëm këtë kategori, pasi kjo do të ishte e padrejtë ndaj atyre shqiptarëve që kanë pritur të marrin letërnjoftim dhe që pas kësaj do të marrin pasaportën biometrike, një pasaportë që përmbush një ndër kushtet për heqjen e vizave “Shengen”, që ne shpresojmë të arrijmë brenda vitit 2009. Ka mënyra të tjera për të bërë të sigurt që ky kontigjent prej 730 mijë zgjedhësish të pajiset me dokumente deri në qershor 2009”, - deklaroi Pollo.
Rezoluta "Deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues të zgjedhur dhe të mandatuar të popullit shqiptar, të nisur nga vendosmëria për të përmbushur objektivin strategjik të Shqipërisë për t'u integruar në BE, kanë bindjen dhe besimin se komunitetet evropiane përbëjnë bërthamën e vlerave të demokracisë, lirisë, bashkëjetesës në paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. Mirëpresim nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare, si dhe institucione të tjera të BE-së të marrin në konsideratë konsensusin dhe vendosmërinë që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë në lidhje me integrimin evropian”, - thuhet në projektrezolutë.