E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata dhe manipulimi

MENTOR NAZARKO

Rreth manipulimit të zgjedhjeve shkruhet dhe flitet shumë dhe intensiteti i shkrimeve rreth manipulimit shtohet me afrimin e datës së zhvillimit të votimeve. Në këto shkrime ka dy pista diskutimi kryesore mbi manipulimet: pista e parë mbi mënyrën se si manipulohet dhe pista e dytë është ajo që i jep përgjigje pyetjes se kush manipulon? Në lidhje me pistën e parë ofrohen shpjegime të ndryshme, që e shohin manipulimin si falsifikim të materialit, të votës kryesisht. Manipulimi i vullneteve, nëpërmjet formave që e shkelin ligjin, por kurrë skemi parë askënd të dënohet për të, nënvlerësohet. Ai raportohet mediatikisht, denoncohet politikisht, por për shkak se është i papërkthyeshëm në shifra, ai tretet nga informacioni deri në ditën e votimit. Madje, jo gjithnjë ai raportohet prej arbitrave ndërkombëtarë. Kjo, megjithëse sot në Perëndim duhet supozuar se ky lloj manipulimi ekziston, pra manipulimi i vullneteve të votuesve deri në momentin kur ai hyn në qendrën e votimit. Ai konsiston në blerje të votës, në shkëmbime të vendeve të punës, favoreve materiale (në Shqipëri merr edhe formën e thasëve me miell…), nëpërmjet kushtëzimit me ruajtjen e vendit të punës etj. Ky lloj manipulimi i mendjeve me të gjitha mënyrat prej politikës së dy krahëve, përgjithësisht tolerohet dhe përdoret për konsum ditor dhe jo strategjik. Ndërsa duket se manipulimi i votës në fazën e numërimit ka gjetur një zgjidhje statuskuoje (partitë e mëdha ruajnë njëra-tjetrën dhe dëmtojnë të voglat), nuk ka gjetur zgjidhje manipulimi i votës gjatë procesit të votimit. Është ajo periudhë që nga vëzhguesit e përciptë ndërkombëtarë konsiderohet si periudhë votimi normale, e qetë, madje që i ngjan edhe Perëndimit. Pikërisht në atë periudhë ka votime të shumëfishta, votime të të shpërngulurve, votime familjare që realisht janë të manipuluara etj., etj. Është pikërisht manipulimi në këtë fazë ai që sjell deformimin më të madh të rezultatit. Në një sistem zgjedhor si ky, kur e majta dhe e djathta në ballafaqimet e fundit kanë diferenca të vogla mbi njëra-tjetrën, manipulimi i mendjeve rezulton fatal. Mjaftoi mostra e Ruzhdies për të kuptuar mekanizmin kryesor: votat e emigrantëve që nuk vijnë për të votuar, përdoren (tregtohen) qoftë prej familjarëve, qoftë prej votuesve të rremë. Bazë për këtë manipulim është mungesa e një diferencimi real ligjor midis votuesve rezidentë dhe atyre jorezidentë. Për pasojë, Shqipëria ka një listë zgjedhore që e kapërcen numrin e banorëve rezidentë në territorin e saj. Dhe për këtë nuk proteston askush. As opozita. Nuk po përmend diçka të ditur dhe të afirmuar egërsisht në këto zgjedhje: zhvendosja legale në listë e votuesve besnikë, në garazhe, hangarë, lavazhe etj.

Kush manipulon?
Ndërsa rikapituluam disa fakte të njohura në pistën e parë – si manipulohet, pa pretenduar të japim zgjidhje, le të kalojmë te pista e dytë. Kush manipulon? Pse një individ arrin të manipulojë, pa frikën e ligjit, deri ku mund të shkojë vullneti i tij për manipulim?
Do t ë ishte mirë të shkohej drejtpërdrejt te burimi: politizimi i administratës publike dhe lokale. Me këtë term duhet të kuptojmë për konvencion dhe punonjësit e ndërmarrjeve publike ekonomike, për të cilët menaxherët politikë kanë më shumë autonomi në marrje në punë. Dikush që manipulon, është pa dyshim një i punësuar në administratën publike ose lokale, entet publike ekonomike, i cili shndërrohet në militant të egër në fushatë; mobilizohet për të grumbulluar vota në lagje apo farefis; merr pjesë në mitingje me hir (e pahir) që bëhet komisioner besnik i partisë duke shkelur ligjin; kërcënon apo blen kolegun e partisë tjetër, që fut duart në kuti etj., etj. Po supozoj se partitë kanë hequr dorë nga manipulimi nëpërmjet të fortëve, të cilët maksimumi përdoren për të kërcënuar apo për të ruajtur votën. E pra, administratat publike dhe lokale janë përdorur masivisht në proceset zgjedhore nga të dyja kampet, nga e majta dhe nga e djathta. Të dyja këto administrata, gjithashtu dhe policët, punonjësit e enteve ekonomike publike nuk kanë fituar qëndrueshmërinë e nevojshme në 20 vjet pluralizëm.  Ndërkombëtarët njohin problemin në raportet e tyre të përvitshme, dhe madje ditët e fundit pati nga pak tallje me këtë proces, por nuk kemi zgjidhje përfundimtare. Po pse këta njerëz të administratës bëjnë këto vepra të liga? Sepse me arritjen e rezultatit pozitiv për partinë e tyre lidhet qëndrimi në punë dhe kjo ska nevojë të sqarohet në fazën e manipulimit të mendjes. Janë pikërisht këta njerëz që me të gjitha mënyrat e mbrojnë, e krijojnë rezultatin në të gjitha istikamet zgjedhore. Një njeri, të cilit i kërcënohet në kuptimin metaforik buka e gojës, rroga plus bonuset e mikro apo makrokorrupsionit, shndërrohet në një luan kur vjen puna për votën. E keqja është se të dyja partitë sillen njëlloj dhe zgjidhja arrihet vetëm nëse të dyja tërhiqen nga kjo keq bërje njëkohësisht: asnjëra nuk tërhiqet nëse tjetra vazhdon. Madje, prej opozitës konsiderohet si normale e drejta e qeverisë për të bërë çfarë të dojë me administratën publike, megjithëse qëndrueshmëria e saj në punë mbrohet me ligj. Askush prej opozitës nuk reagoi, për shembull, kur u ndërrua drejtori i KESH-it sepse i takonte LSI-së!
Është ky politizim i një administrate të dobët, të paqëndrueshme, joprofesionale, që sjell egërsinë e fushatës, një pjesë të dhunës së saj, manipulimin e vullnetit të zgjedhësve etj. Ky politizim është burimi i së keqes dhe pa shkuar te burimi, nuk mund të shkulet e keqja.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›