Padituria e ditëve të sotme
Sipas Platonit, injoranca është burimi i të gjitha të zezave, duke na dhënë në mënyrë të hatashme edhe antonimën ende në qarkullim: dituria. Për Platonin, dituria është “bindja e njëmendtë dhe e përligjur’. Ky term merr edhe më tepër vlerë nëse kridhemi në mendime për rreziqet e përballjes me paditurinë e shekullit të njëzetenjë.
Platoni i mëshonte idesë se duhen përmbushur tri kushte që “të njohim” diçka: 1)koncepti në fjalë duhet që faktikisht të jetë i vërtetë, 2) duhet të besojmë në të(ngaqë, nëse nuk besojmë te diçka si e vërtetë, vështirë të themi se kemi dijeni ndaj diçkaje), 3)më e brishta krahasuar me dy kushtet e para, duhet të jetë e përligjur, duhet të kemi arsye pse të besojmë se ky koncept është i vërtetë.
Le të marrim në shqyrtim diçka që të gjithë e dimë fort mirë: toka është (pothuajse) e rrumbullakët. Kjo është një e vërtetë e dëshmuar nga të dhënat astronomike, aq më tepër kur njeriu ka lëshuar në orbitë satelitë artificialë dhe kemi shquar se planeti ynë është i rruzullt. Shumë prej nesh (përveç mendjeshkarëve të ‘tokërrumbullakësisë’) bien në një mendje në këtë pikë.
Po, ku qëndron vallë përligjja e kësaj bindjeje? Si do t’i përgjigjeshit ju dikujt që ju pyet se përse jeni të mendimit se Toka është e rrumbullakët?
Për t’ia shkoqitur pyetësit, i bie që t’ia nisësh nga pamjet satelitore të sipërpërmendura, por nëse bashkëbiseduesi dyshues, me gjasa, e çon pyetjen më tej duke ju kërkuar se si i keni përftuar këto pamje? Vetëm nëse do të jeni specialist i astronomisë dhe imazheve “software”, nuk do të ndiheshit në siklet për t’i dhënë përgjigjen e saktë.
Sigurisht që juve do t’ju vijnë në ndihmë një mori arsyesh të zakonshme për të pasur bindjen se Toka është sferike, si për shembull, fakti që planeti ynë lëshon hije rrethore te Hëna kur ndodh eklipsi përkatës. Natyrisht, ndoshta do t’ju duhet edhe të jepni sqarime të mëtejshme se ç’është eklipsi dhe nga e njihni këtë dukuri? E kuptoni besoj, se sa më shumë të shtyhesh më tej, shumë prej nesh në fakt nuk kanë dijeni për çdo gjë, në kuptimin platonik. Me fjalë të tjera, ne jemi shumë më të paditur se ç’pandehim.
Sokrati, mësuesi (mjeshtri) i Platonit, i vinte fort në siklet zyrtarët athinas duke i mëshuar idesë se ai ishte më i mençur se Orakulli i Delfit (që e shpallte veten si më i dituri i dynjasë), ngaqë ai, ndryshe nga shumë njerëz(përfshirë këtu edhe zyrtarët athinas) e dinte se nuk dinte asgjë. Ndërkohë që përunjësia e Sokratit ishte e sinqertë apo një rreng nën rrogoz ndaj pushteteve(përpara se këto pushtete të vinin në rrezik jetën e tij për shkak të admirimit të munguar ndaj tyre), çështja është se zanafilla e diturisë gjendet te vetëdija se sa pak dije zotërojmë.
Gjithçka e tillë më shpie drejt paradoksit të injorancës së kësaj periudhe: nga njëra anë, bombardohemi pandërprerë nga specialistë opinionesh të të gjitha niveleve, me apo pa Prof.Dr. përpara emrit të tyre, të cilët na bëjnë me dije se si duhet të mendojmë (mjaft rrallë përse duhet të mendojmë kështu). Nga ana tjetër, shumë prej nesh shfaqen tmerrësisht të paaftë të vënë në zbatim artin e çmueshëm dhe jetik të “përkapjes së dokrrave me bisht”(apo e thënë në mënyrë më të njerëzishme, ndaj “mendimit kritik”), çka është aq e nevojshme në shoqërinë bashkëkohore.
Le ta shquajmë “të pakuptimtën’ edhe nga një këndvështrim tjetër: ne jetojmë në një epokë kur dituria – në kuptimin e informimit – na mundësohet shpesh përmes kompjuterit, celularëve, ekraneve elektronike apo edhe përmes leximit të librave. E përsëri na mungojnë aftësitë bazë të reagimit ndaj informacioneve të tilla, “për të situr baltën e ndotur prej copëzave të arta”(për të ndarë shapin nga sheqeri). Ne tashmë po shpërfaqemi si turma injorantësh të kredhur në ujësinë e informacionit.
Sigurisht që ka boll gjasa që njerëzimi të ketë vuajtur kahershëm mangësinë e mendimit kritik. Për këtë arsye ndodh që ia lejojmë vetes të na bindin për t’u dalë në krah luftërave të padrejta(pa përmendur këtu edhe gatishmërinë për të dhënë edhe jetën në to) apo të votojmë për individë që synimi i vetëm i tyre është të grumbullojnë pasuri sa më shumë të jetë e mundur. Kjo është arsyeja që disa njerëzve u zënë sytë lesh kur blejnë tableta të sheqerosura nga “mjekë popullorë”. Përse vallë ndjekim këshillat e tyre (dhe jo ato të mjekëve të vërtetë), nëse duhet apo jo të vaksinojmë fëmijët tanë.
Por, nevoja e mendimit kritik nuk ka qenë kurrë kaq e ngutshme sa në epokën e internetit. Së paku, në vendet e zhvilluara – por gjithnjë e më shumë edhe në vendet në zhvillim- problemi nuk qëndron te marrja e informacionit, por te aftësia e mangët për të vepruar në mënyrë të atillë që informacioni të marrë kuptim.
Fatkeqësisht, është e pamundur që universitetet, shkollat e mesme, madje edhe ato të ciklit të ulët, të lejojnë ngritjen e kurseve paraprake për mendimin kritik. Arsimi është shndërruar prej kohësh në një sistem të rehatshëm, në të cilin “klientët”(ish-studentët) mund të mbeten të kënaqur me kurrikulat private që i përgatisin më shumë për tregun e punës, se sa për t’u gatitur si individë të përgjegjshëm e qytetarë.
Kjo gjendje mundet dhe duhet ndryshuar, por që nevojitet një lëvizje me themel për të vërë në vijë blogjet, revistat e gazetat “on line”, klubet e librit e të kontaktit, si dhe çdo lloj burimi a mjeti që do të nxiste kulturimin dhe zhdërvjelltësinë e ’mendimit kritik’. Mbi të gjitha, ne jemi të vetëdijshëm se është në lojë vetë e ardhmja jonë.
Autori është Profesor i Filozofisë në “Graduate Center of the City University” të Nju Jorkut