E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e dytë e Bin Ladenit

04-05-2011 / Nga Beatrice Delvaux (“Le Soir”)

Osama Bin Laden vdiq dje për herë të dytë. Plumbi fatal që doli nga arma e amerikanëve, përmbushi thuajse rrafsh dhjetë vjet pas 11 shtatorit atë mision, të cilin qytetarët e saj, por edhe pjesa dërrmuese të botës perëndimore, ua kishin lënë si barrë mbi shpinë. “Plumbi i parë” daton në dhjetorin e vitit të kaluar, në parapritë të “pranverës arabe”, e që  ishte më të vërtetë vdekjeprurës. I shkrepur nga një popullatë e tërë arabe, të rinj e plot gjallëri, të bindur se dinjiteti dhe liria e popullit arab nuk do të përudheshin nga “xhihadi i paudhë alla-Osama”, por përmes ngadhënjimit të demokracisë. Mungesa e pranisë së Al Kaedës në gjirin e revolucionit egjiptian ishte tejet domethënës në këtë sfidë.
 Qysh prej dhjetë vitesh, ky “intelektual i beftë karizmatik”, la pa frymë një botë të tërë dhe i futi zekthin një pjese të botës arabe, duke thyer kështu një tabu: duke e sfiduar e vrarë “armiqtë imperialistë e qafirë” mu në zemër të vendit të tyre. Gjithëfuqishmëria amerikanë u gjunjëzua për një çast nga një njeri që kishte përzgjedhur ligjërimin për të bërë ithtarë në botën arabe.
Gabimi i tij? Të bindësh veten dhe të përpiqesh të bindësh edhe të tjerë se “terrorizmi” dhe “xhihadi” janë e  vetmja rrugë ideologjike dhe plan përbashkues që do të mjaftonin për t’u dhënë zgjidhje acarimeve, rënkimeve dhe plagëve të botës arabo-muslimane, ky ishte një rreng i trashë e që nuk piu ujë. Me këtë mënyrë ai vetë  i shumoi kundërshtarët e tij, të cilët nuk mund të pranonin se atentatet ishin  e ardhmja e vetme për ta.
Dje, Barack Obama fitoi një beteje mjaft të vështirë, duke lënë pa frymë njeriun që i ishte ngjitur si kular pas qafe vetë demokracisë dhe që përbënte një kërcënim në vazhdë për gjithë njerëzimin. Për më tepër, këtë e arriti duke mos vënë në përdorim praktikat e torturave dhe hakmarrjes së epokës së Bushit. Megjithatë, përgjegjësia e presidentit amerikan Obama dhe udhëheqësve të tjerë të botës perëndimore nuk mbaron me ekzekutimin që u krye në Pakistan. Duhen ndërmarrë hapa të tjerë e të shpejtë; së pari, për të shmangur zgjimin e “Osamave” që të rigjejnë mbështetje në botën arabe, e së dyti, për të fuqizuar arritjet e kësaj pranvere arabe që nuk njeh fund, shpesh edhe të përgjakur.
Barack Obama ka arkëtuar në llogari të vet vlerat e ligjëratave të hapura ndaj botës arabe dhe mbështetjen që i ofroi për të hequr qafe zgjedhën e diktatorëve. Krejt ndryshe ndodh me konfliktin arabo-izraelit,  të cilin duket se po e këqyr “nga ballkoni”, edhe pse është çelësi “off” i lëndëve plasëse. Presidenti amerikan Barack Obama duhet t’i futet punës sa më parë për të vrarë mendjen për gjetjen e zgjidhjeve të duhura.
Nuk është frika ajo që do të na kursejë nga reagimet e mundshme terroriste të çirakëve të Ben Ladenit. Përkundrazi, janë veprimet e qarta e të vendosura për t’i garantuar të ardhme demokracisë arabe dhe zhvillimit ekonomik. Duhet t’u vijmë në ndihmë këtyre popujve që guxuan të sfidojnë diktatorët e tyre dhe që ua kthyen vullnetarisht shpinën terroristëve të këtyre vendeve. U jemi mirënjohës: revolucioni arab u takon atyre. Por, njëherazi na përket edhe neve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›