Daltonizmi i Edvinit
Profili i një dështaku
Na duhet, së pari, të sqarojmë termin: Daltoni (1766-1844) ishte një shkencëtar anglez që kishte zbuluar diskromacinë, që është një sëmundje sysh në pacientë që janë të verbër ndaj jeshiles dhe të kuqes. Daltonizmi merr, kështu, kuptimin e përgjithësuar të paaftësisë për të dalluar ngjyrat. Në metaforën politike: të shohësh suksesin si dështim dhe anasjellas.
Edi Rama nuk dallon dot transparencën nga obskurantizmi. Prandaj abuzon me fjalën „transparencë“, kur ai është prototipi i mungesës së transparencës.
Zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005 ishin më të mirat e të gjitha paraardhëseve, duke filluar me ato të 29 qershorit të vitit 1997, që nuk ishin veçse zgjedhje domenesh. Shpresoj që lexuesi ta kuptojë domethënien e kësaj fraze, meqë shtypi i përditshëm është marrë shumë me dyfjalëshin “zgjedhje domenesh”. Por maturanti i sotëm, votues për herë të parë, në atë kohë ka qenë 4 vjeç. Prandaj është e domosdoshme që të bëhet një sqarim i shkurtër, për moshat e reja: Në atë kohë të dhunshme, nga kontingjentet enveriste të krimit, në shërbim fillimisht të PPSH-së, më tej të PS-së, mjaft krahina të vendit u quajtën „domene“ (zotërime, pronësí), ku nuk mund të shkelte këmbë e kandidatit kundërshtar të PS-së, për propagandë zgjedhore. Kjo pararojë e indoktrinuar ishte në shërbim parësor të PPSH-së, më tej të PS-së. E këto zgjedhje, (zgjedhje në mjaft „domene“ pa kundërshtarë politikë), u quajtën nga tregishtorët e grumbulluar në bastionet e KSHP-ve (Komiteteve të Shpëtimit Publik, përfshirë edhe Qosen), si „demokratike“! Dhe ata që vuanin nga daltonizmi bënin krahasime me zgjedhjet 1996-s, që kishin mjaft defekte por, sidoqoftë, këto mangësi nuk e cenonin aspak rezultatin fitues në dobi të PD-së dhe të koalicionit të saj. Ustallarët komunistë, i tërhoqën të gjithë komisionerët, qysh në orët e para të zgjedhjeve, kur vunë ré humbjen e tyre: një byrek që s’është për ne, le të digjet në furrë! Kështu humbja u bë më e theksuar nga çdo të ishte normalisht. Kjo u dha dorë fanatikëve të thekur t’i bënin lajtmotiv zgjedhjet e 1996-s, si zgjedhje tërësisht të manipuluara, ndonëse ato u përsëritën në një numër të madh zonash.. R. Qosja, i cili në zgjedhjet në Kosovës ishte dështak në asgjësim të plotë, ishte i pasuksesshëm edhe në orvatjen për pajtim kombëtar në vendin tonë, për shkak të një anshmërie të tij, kundër ish-të përndjekurve politikë. U tregua me sy të sëmurë édhe në këndvështrimin e tij për të përbaltur zgjedhjet e ’96-s, si edhe për të ekzaltuar “revolucionin e vonuar demokratik” (!) në vendin tonë.
Edvini nuk shquan dot vizionarin (përfytyruesin) nga vizionari në kuptimin patologjik; i sëmurë nga vegime ëndërrimtare, i kapluar nga halucinacione të personave që shohin ëndrra me sy hapur. Si pasojë, ai nuk e pati për gjë që të nxirrte jashtë qarkullimit librin “Refleksionet”, që mund të titullohej “Përçartjet”. Sepse në këtë libër paraqitet si antikomunist ekstremist. Ndërsa nuk vonoi të dilte si enverist fanatik! Në vështrimin e parë ai do të ishte i papranueshëm nga veteranët, meqë e quante Lëvizjen N.çl, si përgjegjësen e Luftës Civile, nën ndikim të emisarëve jugosllavë dhe e shprehte ekstremizmin me fjali si “komunistët duheshin varur në litar”! Në vështrimin e shndërrimit si enverist fanatik, mund të përmenden orgjitë enveriste pezake në çdo 16 shtator. A mund të jetë i besueshëm një luhatës i tillë?
Në këto paqartësi të të shikuarit mund të përmenden inkoherencat e tij të panumërta. Nga “përtej të djathtës e të majtës” te “rruga e vetme” , kemi dy pamje diametralisht të kundërta. Në sloganin e parë hiqet si liberal, si pranues alternativash të ndryshme. Në të dytin, e ngushton diapazonin gjer në pranimin vetëm të një rruge. Ky slogani i dytë është me përmbajtje autoritariste. “Rruga e vetme” do të thotë “Një” rrugë. Kjo të çon në monizëm, pra, kundër pluralizmit. Vemi tek izolacionizmi enverist, që dihet se ku na çoi.
Në thënien romake “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” mund të vërejmë simptoma megalomanie. Por, ama, nuk kemi një vështrim të ngurtësuar, sepse nuk kemi një rrugë të vetme, në të vërtetë, për të shkuar në Romë (në një kuptim figurativ, për të arritur një pikësynim). Është tjetër çështje ajo se, në këtë vështrim, mund të zgjidhet rruga më e mirë. Kurse kjo e Ramës bie erë totalitariste, siç është mohimi i alternativave. Mos të harrojmë se Duçja kishte përhapur kudo parullën “Duce ha sempre ragione!”.
Dhe këtu as që mund të bëhet fjalë për demokraci. Këtë farë “demokracie”e ka provuar, në të gjithë ashpërsinë e saj, LMN-ja e asfiksuar, e ndjera Lëvizje për Mendimin Ndryshe! Mbledhjet e brendshme për ta shkatërruar këtë Lëvizje frymëmarrëse, - një grupim elitar më afër mendimit europianist, - u bënë “në transparencë”, sipas vështrimit daltonist të Edvinit. Në të vërtetë ato qenë ca mbledhje misterioze, të krahasueshme me ato të mafiozëve të Italisë Jugore. Gazetarët që donin të asistonin, u keqpërdorën. Ata fotoreporterë që ngulmuan të ishin të pranishëm, dolën me kamerat të thyera! Me këtë këndvështrim arbitrar, ai arriti t’i vërë nën zgjedhë mjaft nga anëtarët e saj, por jo të gjithë. Kastriot Islami nuk iu përkul trysnisë së mujshisë (prepotencës) së Ramës. E dëshmoi veten të denjë si një majtist me parime perëndimore. Ai pagoi edhe koston e kësaj qëndrese në parimet e tij. Një grup populistësh zhurmaxhinj i bënë kërcënime “spontane” në banesën e tij. Por K. Islami nuk u tregua butak ose molusk, pa shtyllë kurrizore, si ata që kishin kritikuar bojkotin e parlamentit dhe grevat e pafrytshme të kryetarit uzurpues dhe, pastaj, u futën vetë në grevën haxhiqamiliste të rrumajaxhiut Edvin!
Mos të harrojnë ata torreadorë që i kanë hipur demit së prapthi, se shumë e shumë socialistë brenda vedit, kanë votën e tyre të fshehtë, më 8 maj!
Në këtë këndvështrim me sy të gjymtuar, Edvini nuk mund të përdorë edhe popullin mbarë si populistët e ngjashëm me këpëdarët apo “kongresmenët” (!) të cilët disa gazetarë i bënë qole duke i pyetur se ç’janë kongresmenët... Dhe ata injorantë, të mbledhurit në mënyrë selektive në forumin drejtues për t’i dhënë përzgjedhësit të tyre skeptrin e kryetarit, përgjigjeshin në mënyrë qesharake! Tani jemi në 2005-n, gjashtë vite më parë. (Këtu hyjnë edhe 22-vjeçarët e sotëm, që votojnë për herë të dytë). Pra, janë të shumtë ata që gajaseshin me përgjigjet kodra pas bregut të këtyre që morën titullin tallës “kongresmenë”!
***
Të gjithë e njohin, tashmë, brutalitetin e këtij njeriu të vetëpërkëdhelur, që nuk i dallon dot të gjitha ngjyrat e spektrit të dritës. Ai bën ç’i thotë koka. Nuk pranon kundërvënie. Si zemërak tekanjoz, bie vazhdimisht në kundërthënie me vetveten. Në vegimet e tij mendore, kujton se ka gjithmonë të drejtë, siç e pamë tek ajo shprehja e Duçes. Paragjykimet e tij janë komplekse të një njeriu dritëshkurtër. Kësisoj e përçau të majtën shqiptare. Por nuk ngjitën përçapjet për të vënë në disharmoni PD-në me LSI-në. Lëvizja Socialiste për Integrim, me Integrimin në botën Perëndimore në emblemën e saj, ka më shumë afinitet me PD-në nga ç’e kujton Edvini. Kështu, ky koalicion përbëhet nga dy forca politike me mendësi të përbashkët, në aspiratën euroatlantike.
Normalisht zgjedhjet administrative të 8 majit, nëse janë politizuar, kjo është një dëshirë subjektive e kryetarit autokrat të bashkisë, gjer më 8 maj. Sido që këto zgjedhje janë më të mira se ato të 2009-s, dhe këto janë më të mira se ato të 2005-s, kjo nuk do të thotë se përfundimet zgjedhore do të pranohen nga ai që i ka paragjykuar si të falsifikuara, sepse kështu ia thotë mendja. Po gërryen vetveten si tenja që ha drurin e shtrembër. E di që s’ka bërë thuajse asgjë për bashkinë e shpërfillur, veçanërisht këta katër vjetët e fundit. Dhe propaganda e tij mbështetet te politizimi, me buçitje sharjesh të rëndomta, që imitohen mërzitshëm edhe nga butakët e tij. Por kjo propagandë boshe mbështetet edhe te shmangiet nga ç’është bërë, për t’u endur në një të ardhme në havà. Tani po imiton rivalin Basha, i cili e njeh brenda një kohe të shkurtër të gjithë problematikën e kryeqytetit, përmes interesimit të të gjitha ankesave të qytetarit të Tiranës, në bazë të të cilave është ndërtuar edhe një program i detajuar. Epërsia e kandidatit Basha është e dukshme dhe e pakontestueshme. Disa teste të ndryshme e kanë drithëruar atë që nuk ka sy të shohë sesi është testuar Lulzim Basha, me të cilin E. Rama nuk guxon të ballafaqohet drejtpërdrejt. Si kryeneç, nuk merr as mundimin të shpjegojë përse i shmanget këtij ballafaqimi. Është një nga misteret e shumta që e pështjellojnë Edi Ramën, që është bërë më i çekuilibruar nga sa ka qenë. Tani i kanë mbetur vetëm provokimet!